Shqipëria nënshkruan marrëveshje një miliardëshe me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan të mërkurën një marrëveshje me vlerë prej të paktën 1 miliard eurove për të ndërtuar një lidhje nëndetare për importim të energjisë së ripërtëritshme përmes Detit Adriatik.

Plani do të forcojë lidhjet ekzistuese të energjisë elektrike, “të shtrira përgjatë 430 kilometrave në fund të Detit Adriatik, duke lidhur Italinë me Malin e Zi dhe rajone të tjera të Ballkanit… për t’i bërë ato më efikase dhe konkurruese”, tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në Samitin Botëror të së Ardhmes së Energjisë në Abu Dhabi.

“Ky partneritet shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sigurisë energjetike, promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përshpejtimit të tranzicionit drejt energjisë së pastër në rajonin e Mesdheut”, thuhet në deklaratën e të tria vendeve, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Marrëveshja me Shqipërinë – aleate e ngushtë politike e qeverisë së krahut të djathtë të Melonit – vjen si shtesë ndaj një projekti për ndërtimin e një lidhjeje elektrike midis Italisë dhe Tunizisë për të rritur kapacitetin e transferimit të energjisë në rajonin e Mesdheut.

Partneriteti trepalësh do të përfshijë operatorin italian Terna dhe Kompaninë Kombëtare të Energjisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai shtoi se infrastruktura do ta lidhte portin shqiptar të Vlorës me rajonin jugor italian të Pulias, pika më e afërt midis dy vendeve dhe shtoi se kjo pritet të jetë funksionale brenda një maksimumi prej tre vitesh.

Projekti do t’i mundësojë Shqipërisë të shesë energji të ripërtëritshme të prodhuar në vend, në një kohë kur vendi po punon drejt diversifikimit të energjisë së saj të ripërtëritshme, duke rritur kapacitetin e saj me rreth 500 megavat gjatë dy viteve të fundit, tha për Reuters zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Duke shfrytëzuar ekspertizën botërore të Emirateve të Bashkuara Arabe në energjinë e ripërtëritshme, burimet e pasura natyrore të Shqipërisë dhe tregun e sofistikuar të energjisë në Itali, ne po lidhim kombet në një bashkëpunim largpamës”, tha Sultan Al Jaber, ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe./REL

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA