Zjarrfikësit po bëjnë përpjekje t’i frenojnë zjarret në Los Angeles, që vazhdojnë të shkrumbojnë zona për të shtatën ditë me radhë.
Autoritetet evidentuan së paku 24 njerëz të vdekur si pasojë e zjarreve, ndërsa 16 të tjerë janë të zhdukur.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se kjo mund të jetë fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e SHBA-së, pasi ka shkatërruar mijëra shtëpi dhe ka detyruar mbi 100.000 njerëz të evakuohen.
Sipas zyrtarëve, mbi 12.300 struktura janë dëmtuar ose shkatërruar.
Situatën pritet ta përkeqësojnë edhe erërat me shpejtësi 80 deri në 112 kilometra në orë, të cilat, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, nisën të dielën mbrëma dhe do të zgjasin deri të mërkurën.
Zyrtarët paralajmëruan të gjithë popullsinë e Qarkut, prej afro 10 milionë banorësh – se mund të urdhërohet të evakuohet nga flakët dhe tymi toksik.