Sportistët e Kosovës kanë arritur suksese të mëdha edhe në arenën ndërkombëtare, por mungesa e infrastrukturës adekuate sportive konsiderohet se po e ngufatë shpërthimin edhe më të madh të sportit në Kosovë.
Infrastruktura është një prej elementeve thelbësore që i nevojiten një sportisti për të arritur rezultate kulminante.
Drejtues të federatave e përfaqësues të institucioneve sportive, ngrenë alarmin për intervenim të shpejtë dhe investim të madh në infrastrukturë.
Sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi tregon se si karateistët e Kosovës nuk kanë asnjë sallë të stërvitjeve dhe se ata, aktivitetin e tyre e kryejnë nëpër shkollat fillore e të mesme.
“Nëntëdhjetë për qind e klubeve në sportin e karatesë e zhvillojnë sportin në shkolla fillore ose të mesme në regjionin ku ata jetojnë. Kjo është një mungesë e madhe e infrastrukturës për shkak se për të arritur një nivel të lartë, dhe një performancë të lartë të garuesve, duhet të kesh një sallë të cilën e ke nën kontroll 24 orë, dhe sportistëve do t’ua përshtatësh programin e stërvitjeve. Me këtë rast, me tri stërvitje që i mbajmë në shkolla e ke vetëm shtrirjen në regjion, nuk e ke suksesin. Prandaj, unë pajtohem plotësisht që infrastruktura sportive e dëmton shumë rezultatin kulminant”, thotë Gashi.
E sipas kryetarit të Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, suksesi i një sportisti dëmtohet për 80% nga mungesa e infrastrukturës adekuate sportive.
“Për shumë sporte kur nuk i ke mjetet e punës, stadiumin apo shtigjet, pengon në 80%. Një atlet, nëse ushtron apo bën trajnim në një shteg të atletikës ku vërtet i plotëson konditat ndërkombëtare ku ka edhe gjërat tjera përcjellëse si zhveshtoret e çështje të tjera, atëherë besoj se rezultati, nëse ka qenë këtu 30%, do të jetë 100% sepse aty e sheh veten”, thotë Sylejmani.
Nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) thonë se një numër i madh i talentëve e braktisin sportin pikërisht për shkak se nuk kanë ku ta zhvillojnë aktivitetin e tyre.
Zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi thekson se ka disa sporte në Kosovë që nuk kanë fare infrastrukturë sportive.
“Suksesi që është arritur në këto 10 vjet i ka tejkaluar pritshmëritë edhe të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, por edhe pritshmëritë tona bazuar në infrastrukturën që e kemi momentalisht në Kosovë. Por, sikur të ishte e kundërta, sikur të kishim një infrastrukturë shumë më të mirë, sidomos te disa sporte që janë prioritet edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, si atletika dhe noti që njihen si ‘mbretëresha të sportit’, e pikërisht te këto çalojmë sa i përket infrastrukturës, por edhe në sporte të tjera si gjimnastika apo tenisi dhe sporte të tjera, padyshim se do të kishim edhe më shumë përfshirje të fëmijëve dhe të rinjve në sport, dhe me këtë kur ke masivitet patjetër që do të kesh edhe talentë më shumë. E shohim sot që pikërisht në këto sporte kemi mangësi, sidomos te seniorët, sepse kryesisht fëmijët merren me këto sporte dhe në moshën madhore tërhiqen për shkak të mungesës së infrastrukturës”, thekson Krasniqi.
Rëndësinë e madhe që ka infrastruktura sportive e thekson edhe ish-presidenti i KOK-ut, Besim Hasani.
“Mungesa e infrastrukturës, ose infrastruktura e mirë, është njëra ndër pesë kushtet që i numërojnë sportistët dhe trajnerët e tyre që duhet të plotësohen që të krijohen kushtet optimale për sukses…Pa infrastrukturë të mirë, pa infrastrukturë moderne dhe adekuate, nuk mund të kemi suksese të pritura. Ne kemi dëshmuar që edhe në këto rrethana ia kemi dalë me menaxhimin fantastik të krerëve të xhudos, ata ia kanë dalë që të mos vonohen me ndërtimin e infrastrukturës”, ka thënë Hasani.
Gjithsesi, shpresa për ndryshim të kësaj gjendjeje është te zotimi që shteti i Kosovës ka marrë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, pasi pritet ndërtimi i disa stadiumeve dhe palestrave të reja sportive./kp