Pas shpërthimit në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme, paralajmëroi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Gazetari i ATV-së, Arian Hajdaraj, raportoi nga Qeveria e Kosovës se, gjysmë ore pas konferencës, mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ende nuk kishte filluar. Në këtë mbledhje pritet të marrin pjesë Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Kurti, ministrat përkatës, drejtori I Policisë, drejtori I AKI-së dhe përfaqësues të KFOR-it, të cilët tashmë kanë arritur në ndërtesën e qeverisë.
Sipas Ligjit për Themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ky organ ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e vendit dhe mund të rekomandojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në rast të shpalljes së tillë, gjendja mund të zgjasë deri në 60 ditë, me mundësi vazhdimi sipas nevojës dhe procedurave të përcaktuara me ligj.
Për zhvillimet e mëtejshme, pritet të ketë njoftime zyrtare pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
ATV mëson se njësi policore të pajisura me armë të gjata janë parë duke patrulluar dhe monitoruar situatën, ndërsa zona mbetet e blinduar për të parandaluar çdo incident të mundshëm.
Shpërthimi ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë në disa zona të rëndësishme, përfshirë Mitrovicën, Vushtrrinë dhe deri te Korporata Energjetike e Kosovës. Ndërkohë, ekipet teknike të ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc po përpiqen të ndalojnë rrjedhjen e ujit që po shkakton dëme të mëdha.
Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit janë duke vazhduar. /atvlive.tv