Përgatiti: Pranvera Krasniqi
16 incidente në hapësira shkollore janë regjistruar në komunën e Podujevës, nga shtatori e deri në nëntor.
Të gjitha rastet ishin rrahje mes grupesh, të cilave u kishte paraprirë konflikt verbal.
Me qëllim evitimin e rreziqeve dhe përhapjes së dukurive negative, drejtoria e arsimit në Podujevë ka organizuar punëtori për hartimin e planit për siguri në shkolla.
“E kemi marrë si masë emergjente mas krejt atyre rasteve që për neve janë shumë…”, tha drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu.
Plan për siguri në shkolla jo, por nga Drejtoria e Arsimit në Ferizaj thonë se kanë punuar në diçka tjetër.
“Kemi bërë pjerrtësia për hyrjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, çdo shkollë ka kamerë, ka sigurim ka internet…”, tha drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.
Shtimin e shtigjeve për nxënësit me aftësi të kufizuara, kamera sigurie e masa të të tjera ka ndërmarrë edhe Drejtoria e Arsimit në Klinë.
Megjithëse, drejtori thotë se ka ende boshllëqe.
“Gjithmonë në arsim ka hapësirë për më shumë angazhime, sepse gjithmonë ka risi, e jona është të qëndrojmë të gatshëm dhe të mundohemi të parandalojmë çdo rrezik të mundshëm, megjithëse në atë po punojmë edhe ne”, tha drejtori i Arsimit në Klinë, Qemajl Sejdija.
Megjithatë, për rritjen e sigurisë edhe më shumë, po kërkohet mbështetje nga Ministria e Arsimit.
“Me këto kontrata kolektive na kanë kufizuar paksa, ka shumë mungesë për psikologë, pedagogë, madje logopedë, pasi numri i nxënësve veç po rritet”, tha drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.
“Iu bëjmë kërkesë për më shumë takime për të parë e për të dëgjuar si të mirat por edhe sfidat që mund të ketë çdo komunë në arsim”, tha drejtori i Arsimit ne Klinë, Qemajl Sejdija.
Deri tash, vetëm komuna e Prishtinës e ka hartuar planin e veprimit për siguri në shkolla, por ende nuk ka të buxhetuar asnjë pikë të përmendur në plan.