Përgatiti: Benita Zeneli
Tash e tutje ekziston një platformë online për raportimin e korrupsionit.
Atë e lansoi të enjten Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në mbështetje nga UNDP ne Kosovë.
“Ne si agjenci, tentojmë të jemi dëshmitarë dhe shembull i mirë i përdorimit të teknologjisë në mbizotërimin e drejtësisë. Ky aplikacion, i cili do të lansohet sot dhe shumë aplikacione tjera, të cilat janë lansuar në të kaluarën, tregojnë që teknologjia mund të vihet në shërbim të sundimit të ligjit dhe parandalimit të korrupsionit…Ne i kërkojmë secilit qytetar të Republikës së Kosovës që të bashkëpunojë me ne, sepse pjesëmarrja qytetare është fuqia jonë”, tha Yll Buleshkaj nga APK.
“Kemi një partneritet shumë të gjatë në parandalimin e korrupsionit. kemi mbështetur agjencinë në mënyrë që të bëhet identifikimi i rreziqeve dhe digjitalizimi i platformës së raportimit. është bazuar në modelin e republikës së koresë”, tha Dudley Tarlton, zëvendëspërfaqësues i Përhershëm i UNDP-së.
Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e APK-së, Adnan Rrustemi shtoi se kjo platformë ofron siguri dhe konfidencialitet për qytetarët që raportojnë rastet e korrupsionit.
“Lansimi i platformës ‘Raporto korrupsionin’, përfaqëson jo vetëm një mjet inovativ, por edhe një shembull të përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e parandalimit të korrupsionit”, tha Rrustemi.
Më parë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ka kërkuar edhe rritjen e numrit të punëtoreve pasi, zyrtarët aktual janë të ngarkuar me më shumë se 200 raste në vit.





