Përgatiti: Armand Hoti
Me njërën dorë, po e nget veturën, e me tjetër po e përdor telefonin. Në raste tjera nëpër kryeqytet, shihen vozitës që nuk e kanë vendosur rripin e sigurisë.
Këto janë disa nga shkeljet e rregullave të trafikut, për të cilat, policia në dy javët e fundit shqiptoi mbi 27 mijë gjoba në gjithë Kosovën.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë se ngasësit e automjeteve nuk janë vetëdijesuar fare ndër vite.
“Nuk është ndonjë ndryshim i madh për shkak se ne llogarisim që çdo ditë në Kosovë ipen rreth 1000 apo 1500 gjoba, kjo nuk po ndryshon për vite të tëra pra dhjet apo 15 vite është thuajse një mesatare e njëjta”, tha Dedaj.
Madje, pak ditë më parë dikush u dërgua edhe në paraburgim pasi me veturë, goditi për vdekje një të ri në Prishtinë. Kurse deri më tash, gjatë këtij viti, ka ndodhur tetë aksidente me fatalitet.
Me projektligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor, që u miratua javën e kaluar, do të ashpërsohen gjobat për shkelësit e rregullave.
Mosvendosja e rripit do jetë e dënueshme me gjobë prej 150 eurosh. Kurse për ata që përdorin telefonin gjatë vozitjes, do shqiptohet gjoba prej 100 eurosh, nëse kjo ndodhë për herë të parë.
Krahas dënimeve, Dedaj propozon të punohet më shumë në edukimin e vozitësve.
“Së pari, askund në botë nuk ke ligj për rregullat e komunikacionit, sepse rregullat vendosen në bazë të ligjeve. Kjo varret më shumë nga menaxhimi i trafikut, dhe nga masat edukative dhe jo ndëshkuese, tek atëherë do shihnim rezultate më të mira”, tha Dedaj.
Sipas të dhënave zyrtare, 88 raste të vdekjes si pasojë e aksidenteve në trafik u shënuan në vitin 2023.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






