Ambasadorët e vendeve mike në Kosovë, e kanë cilësuar masakrën e Krushës së Madhe si pikënisje e ndërhyrjes së NATO-s mbi shtetin serb. Në 25-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Rahovecit, ambasadorët kërkuan që kryerësit të dalin para drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, i dokumenton këtë ngjarje dhe mundëson që faktet historike mos të kontestohen.
“Ky muze do t’i ndihmojë të gjithë atyre që vijnë ta shohin atë, ta mësojnë atë që ne tanimë e dijmë, të mos lajthitet se faktet historike janë të pakontestueshme. NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu. Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme e shtetit, Marilyn Albright tha: “e kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë”.
“Aksionet e NATO-s kanë synim të shtyejnë paqen dhe sigurinë në Evropë dhe t’i jap fund mizorive dhe krizës humanitare. Si aleancë ne u bëmë bashkë për të reaguar vetëm pasi i kishim shterrur të gjitha alternativat për të ndalur gjakderdhjen”, u shpreh Hovenier.
Ai ka shprehur ngushëllimet e tij dhe solidaritetin me familjet e viktimave në cilësinë e përfaqësuesit të presidentit amerikan në Kosovë.
Hovenier ka thënë se e kupton që familjet dhe të mbijetuarit e kësaj masakre kanë kërkuar themelimin e muzeut qe 25 vjet, teksa është shprehur krenar për kontributin amerikan në proces.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen krenare që i kemi mbështetur deri diku përpjekjet e juaja, përmes trajnimit të 30 kosovarëve për shkathtësi të intervistimit, etikë të historisë gojore dhe arkivimit si pjesë e historisë gojore të Bibliotekës Kombëtare me të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Madhe”, ka deklaruar ambasadori amerikan.





