Përgatiti: Arton Hamiti
Nga nëntori i 2022-s, kur kryetarët e katër komunave në veri nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje kryetarët e rinj u caktuan vetëm në prill. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të atij muaji kaluan pa asnjë incident. Pa ndonjë telashe kaloi edhe betimi i tyre, ndonëse u bë në objekte shkollore e alternativa të tjera.
Por, kaq qetë nuk ishte edhe kur Lulzim Hetemi i Leposaviqit, Izmir Zeqiri i Zubin Potokut e Ilir Peci i Zveçanit me 26 maj hynë në objektet e komunave respektive.
Grupe të qytetarëve serbë u mblodhën para ndërtesave komunale, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale, teksa sulmuan Policinë e në disa komuna pati të shtëna me kallashnikov.
Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur protestuesit serbë në komunën e Zveçanit sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, të cilët morën kontrollin e objektit të Komunës.
Nga mjete të forta, shok-bomba të improvizuara e gjuajtje me armë, 93 ushtarë të misionit të NATO-s u plagosën rëndë dhe lehtë. Për pasojë, disa prej tyre e patën të pashmangshëm amputimin e gjymtyrëve.
Nga sulmet nuk u kursyen as ekipet e mediave. Gazetarët, sipas AGK-së, u sulmuan mbi 20 herë. Sipas institucioneve kosovare, pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” dy organizata këto që më pas u shpallën terroriste, ishin prapa këtyre protestave të dhunshme.
Ky mobilizim i serbëve për t’i kundërshtuar kryetarët shqiptarë, zgjati rreth 3 javë. Megjithëse, që nga maji, tendat e vendosura pranë objekteve komunale vazhdojnë të qëndrojnë.
Tensionet e fundmajit, sipas njohësve të sigurisë, sollën frikë dhe panik te qytetarët e asaj pjese.
Ndërkaq, vlerësohet se Kosova nuk e shfrytëzoi siç duhej gjithë këtë situatë të krijuar.
Në Kosovë, deri më tani, janë arrestuar dhjetë persona për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Si lider i “demonstruesve të dhunshëm” u identifikua Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor dhe është ende në paraburgim.





