14 C
Pristina
E shtunë, 27 Korrik, 2024

20 vajza e gra të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian mësojnë si t’i dallojnë lajmet e rreme

20 vajza dhe gra të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, nga rajone të ndryshme të Kosovës, të shtunën përfunduan në Prishtinë trajnimin mbi Edukimin Medial, në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” – i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me grant për gazetën online Reporteri.net.

Grupi i katërt i trajnimeve u zhvillua në kryeqytetin kosovar, Prishtinë, me pjesëmarrje të vajzave dhe grave mbi 18 vjeç, nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilat vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Ato u trajnuan nga 5 gra të tjera të suksesshme në fushën e medias dhe lidere në punën e tyre.

Juristja e medias, Flutura Kusari, u ligjëroi atyre mbi “Rregullimin e mediave dhe përgjegjësinë ligjore të punëtorëve të medias”.

Udhëheqësja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Komunikim në RTK, Gentiana Begolli-Pustina u evidentoi pjesëmarrësve “Dezinformimin mbi baza gjinore”, ndërsa gazetarja tjetër e RTK-së dhe autorja e emisionit “Ora Egjiptiane”, Nora Xhuzi ligjëroi për “Dezinformimin mbi baza raciste, etnike dhe ndaj grupeve tjera të margjinalizuara”.

Begolli-Pustina dhe Xhuzi gjatë ligjërimeve të tyre treguan edhe për përvojat personale, si kanë qenë cak i dezinformatave, e para mbi bazën gjinore, ndërsa e dyta mbi bazën raciste.

Tutje, gazetarja hulumtuese dhe autorja e emisionit “Kiks Kosova”, Ardiana Thaçi-Mehmeti i mësoi 20 gratë pjesëmarrëse se si të “Identifikohen burimet e besueshme të informacionit dhe Verifikimin e fakteve”.

Ndërsa krejt në fund, drejtorja e “Debat Center” u ligjëroi atyre mbi “Mendimin Kritik”, duke stimuluar edhe një debat mes pjesëmarrësve mbi dezinformatat dhe lajmet e rreme.

“Më ka ra me has në mediat të cilat kanë qenë të rreme ose kanë qene tendencioze për diskriminim ose për baza gjinore, dhe tash këtu u informova saktë se ku duhet të shkoj të ankohem”, tha Shukrije Stolla, 29-vjeçarja nga Prishtina, pjesëmarrëse në këtë trajnim.

“Pata privilegjin të marr pjesë në një trajnim me gra të komuniteteve në Kosovë, ku ndava përvojën time në zbulimin e lajmeve të rreme dhe në gazetarinë hulumtuese në temën e forcimit të edukimit medial: Identifikimi i burimeve të besueshme të informacionit dhe verifikimi i fakteve për të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Faleminderit “Reporteri” dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë për organizimin e këtij trajnimi që është një nga përvojat me frymëzuese për mua, kohëve të fundit”, tha gazetarja fituese e shumë çmimeve për gazetarinë hulumtuese, Ardiana Thaçi-Mehmeti, pas trajnimeve ku ajo ishte një nga ligjërueset.

Projekti “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” financohet me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për Gazetën Online Reporteri.net (R Media L.L.C). Projekti implementohet në partneritet me median “Front Online” dhe Institutin për Hulumtime “iFront”.

Deri më tani, në kuadër të këtij projekti janë trajnuar gjithsej rreth 90 të rinj të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Prej tyre, 51 ishin gra/vajza – pra, më shumë sesa gjysma – 57.30% – e pjesëmarrësve vajza dhe gra.

Gjatë këtij procesi, 6 nga kandidatët më të suksesshëm që dalin nëpërmjet një gare të hapur dhe transparente gjatë zhvillimit të trajnimeve në 5 rajone të ndryshme të Kosovës, do të përzgjidhen për të kryer punë praktike në mediat dhe organizatat partnere të projektit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA