Përgatiti: Pranvera Krasniqi
15 aktakuza për krime lufte janë ngritur gjatë vitit 2023 nga Prokuroria Speciale. Tetë prej tyre, të cilat parashohin gjukim në mungesë, ishin risi e vitit 2023 pasi gjykimi në këtë formë u bë për herë të parë në Kosovë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zotohet se hetimi i krimeve të luftës është prioritet për qeverinë.
“Sikurse edhe në 2021 dhe 2022, ne kemi ndarë buxhet nga Ministria e Drejtësisë me ndryshim në buxhetin e Republikës së Kosovës për Këshillin Prokurorial. Dhe qëllimi ka qenë që të shtohen edhe katër prokurorë shtesë në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës, gjashtë bashkëpunëtorë profesional dhe dy persona staf teknik apo përkthyes që mund të ndihmojmë prokurorët për adresimin e këtyre rasteve”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare konsideron se ka pasur hetim më intensitet më të lartë.
“Nëse flasim për këtë vit, apo për 2023 dhe nëse e krahasojmë me vitet paraprake prej se i kanë marrë kompetencat Prokuroria Speciale, viti 2023 ka qenë me një intensitet më të lartë për arsye se janë ngritur gjashtë aktakuza ndaj personave që janë arrestuar, po ashtu janë ngritur edhe 8 aktakuza në mungesë. Në krahasim me vitet e kaluara ku janë ngritur një apo dy aktakuza. Pra, ky vit ka qenë ndoshta, edhe pse ka hyrë në fuqi Ligji për Gjykimin në Mungesë, kemi pasur më shumë rezultate në hetimin e këtyre rasteve”, tha Alija.
Sidoqoftë, drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, pohon që sigurimi i dëshmive për dhunën seksuale, vazhdon të mbetet sfidë.
“Natyrisht që pas 24 vjetësh nuk është e lehtë për të mbijetuarit e dhunës seksuale, qoftë për të hyrë në procesin e dëshmisë, qoftë për t’u ballafaquar me gjykatën, për faktin që ky proces është mjaft i ndjeshëm edhe kur nuk ka ndjeshmëri të institucioneve, bëhet edhe më i vështirë. Megjithatë, ne jemi munduar paralelisht për të punuar me të mbijetuarit, për t’i fuqizuar dhe për të kërkuar drejtësi dhe njëkohësisht për të punuar me policinë për krime lufte, me gjykatat në mënyrë që ata të kenë një qasje sensitive”, tha Rushiti.
Nga Prokuroria Speciale deri më tani janë ngritur 33 aktakuza me rreth 90 të pandehur. Në Tribunalin e Hagës janë dënuar gjashtë eprorë serbë, të cilët kanë pasur hierarki të larta komanduese gjatë kohës së luftës, në pesë prej tyre ka pasur edhe vepra penale të dhunimit seksual.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:





