12 fëmijë u braktisën në vitin 2022 nga prindërit e tyre, Qendra për Punë Sociale thotë se janë lënë edhe në kontejnerë

Të dhënat numerike për fëmijët e braktisur 2000-2022, sipas raportimeve nga Qendrat për Punë Sociale komunale të vendit, të siguruara nga “LIBERO”, tregojnë se 12 fëmijë janë braktisur nga prindërit e tyre në vitin 2022, ndërkohë në vitin 2000 menjëherë pas luftës janë braktisur 67 fëmijë.

Fenomeni i braktisjes së fëmijëve konsiderohet si një ndër fenomenet shoqërore i cili gjen hapësirë edhe te shoqëria kosovare.

Për  të diskutuar për këtë çështje, të hënën në emisionin “LIBERO” ishin të ftuar: Remzije Krasniqi – Drejtoreshë për Avokim në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, Vebi Mujku – Drejtor i Qendrës për Punë Sociale dhe Fata Rexhepi Mehmeti – Koordinatore e Psikologëve në organizatën për fëmijët pa përkujdesje prindërore (OFAP).

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, tha se ka pasur raste kur fëmijët janë lënë edhe pranë kontejnerëve.

“…Kemi pasur raste kur fëmijët janë lënë pranë kontejnerëve, në vendet ku është rrezikuar jeta e fëmijës…”, potencoi Mujku.

Për fëmijët e braktisur një rëndësi tepër të madhe e kanë edhe familjet strehuese, të cilat ofrojnë mbështetje për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve, e  në lidhje me këtë çështje, Rexhepi Mehmeti theksoi se komunat prijëse në këtë aspekt janë Gjakova dhe Ferizaji

“…Aktualisht komunat që kanë më së shumti familje strehuese janë Gjakova dhe Ferizaji. Familjet strehuese janë të përgatitura që do të ofrojnë kujdes përkohësisht për këta fëmijë derisa t’iu zgjidhet statusi…”, tha ajo.

Derisa drejtoresha e SOS fshatrave të fëmijëve, potencoi se në SOS pothuajse shumica e fëmijëve kanë ardhur nga familjet biologjike, por që janë privuar nga kujdesi prindëror për arsye të ndryshme.

“… Për arsye të ndryshme nëse prindërve nuk ju ka kthyer zotësia e veprimit si prind, fëmijët mbajnë kontakte me familjarët biologjikë…”, deklaroi Krasniqi.

Vlen të theksohet se në emisionin “LIBERO” në një lidhje direkte është kyçur Fatmire Hoti Musliu – nënë e cila ka strehuar 4 fëmijë të braktisur.

“…Jam familje strehuese prej vitit 2017 dhe deri tani kam pasur 4 fëmijë të braktisur. Për momentin e kam një fëmijë, do të përkujdesem për të derisa t’i zgjidhet statusi…E kam përkrahjen e të gjithëve (të burrit dhe të familjes)…”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se sigurimin e përgjegjësisë së prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës bazuar në interesin më të mirë të fëmijës, e garanton edhe Ligji i Kuvendit të Republikës së Kosovës, për Mbrojtjen e Fëmijës, neni 1, pika 1.3.

Sipas Ligjit në Kosovë për mbrojtjen e fëmijës, neni 27, pika 4 “Fëmija nuk mund të ndahet nga prindërit, kujdestari i tij kundër dëshirës dhe vullnetit. Përveç se në rastet kur kjo ndarje është në interesin më të mirë të fëmijës, nëse fëmija është në rrezik, nëse ndarja është e pashmangshme apo nëse kjo ndarje kërkohet nga ligji ose nga një vendim i formës së prerë”

Për ta shikuar emisionin  e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:

 

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA