Përgatiti: Benita Zeneli
1 maji në Kosovë solli thirrje për jetë më të dinjitetshme.
Me zë të qetë, por kërkesa të qarta, punëtorët e shfrytëzuan Ditën Ndërkombëtare të tyre për të kujtuar se pagat nuk u mjaftojnë për ta mbajtur familjen.
“Edhe unë kisha dashtë me dal me fëmijët e mi sot me festu, po çka me bo me 350 euro”, thotë një punëtor teknik
Kësisoj nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat u kërkua që paga minimale të rritet në 600 euro, duke i dhënë afat Qeverisë deri në shtator të këtij viti.
“Në të kundërtën do ta bojkotojmë punën”, tha Jusuf Azemi, kryetar i SPSPK-së.
Kushtet e vështira të punës e mungesën e shumë të drejtave e adresuan edhe përfaqësues të sektorit publik.
“Punëtorët e KEK-ut punojnë, sfidojnë, rrezikojnë jetë dhe vdesin 1 për qind e stafit si rezultat i sëmundjeve profesionale që ne dyshojmë që marrin gjatë procesit të punës e pasurohet KEDS-i në këtë rast. kërkojmë ngritje të pagave, respektim të të drejtave ligjore”, tha Nexhat Llumnica, sindikata e re e KEK-ut.
“Ndërkohë, paga minimale në Kosovë nuk është për të jetuar. Është për mbijetesë. Dhe shpesh nuk është e mjaftueshme as për këtë. Çdo muaj punëtorët përballen me zgjedhje të pamundura: të paguajnë qiranë apo të blejnë ilaçe? Të mbushin frigoriferin apo të paguajnë energjinë elektrike? Dhe kur ngrenë zërin, u thuhet se duhet të jenë mirënjohës që kanë një punë”, tha Anita Nikaj, aktiviste.
Disa nga kërkesat e tjera gjatë protestave ishin edhe nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, trajtimi i barabartë i punëtorëve të sektorit privat me ata publik, e krijimi i një fondi për punëtorët që lëndohen apo humbin jetën gjatë punës.