Ndihmës Sekretari i Shtetit, Brendan Hanrahan, pritet të qëndrojë në Kosovë, në kuadër të një vizite zyrtare në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, diplomati amerikan do të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me përfaqësues të partive opozitare.
Ndërkohë, me presidenten Vjosa Osmani ai është takuar më herët në Washington, gjatë vizitës zyrtare të saj në Shtetet e Bashkuara.
Hanrahan njoftoi për turneun diplomatik përmes një postimi në platformën X, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për rajonin: “Po shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë pas bisedave produktive në Dejton dhe Washington. Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon”, ka shkruar ai.
Nga ana tjetër, presidentja Osmani ka bërë të ditur se takimi me Hanrahan është zhvilluar në ambientet e Departamentit të Shtetit në Washington D.C., ku është theksuar rëndësia e thellimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve:
“Në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., takova Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Brendan Hanrahan, me të cilin ritheksuam përkushtimin tonë për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë,”, ka shkruar Osmani.
“Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim,” ka shtuar ajo.
Ndërkohë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të enjten tha se shkak të një udhëtimi urgjent që do ta ketë ditën e dielë, nuk do të mund ta takojë zyrtarin e lartë amerikan, por se LDK-në tha se do ta përfaqësojë në takim nënkryetarja, njëherit deputetja Hykmete Bajrami.
“Kam deleguar deputeten Hykmete Bajrami për shkak të një takimi urgjent që do ta kem ditën e diel, deputetja dhe nënkryetarja e LDK-së do të jetë në atë takim, ne do të flasim për pozicionin tonë politik, për 15 pikat e qeverisë së unitetit, dhe njëra prej atyre pikave ka qenë partneriteti afatgjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është një takim njoftues në këtë fazë”, ka thënë ai.