Zyrtare: Marrëveshja me Kosovën, kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE

Përgatiti: Fatlum Jashari

Përfundimisht, 13 muaj pas dakordimit në Ohër, Bashkimi Evropian kushtëzoi rrugën e anëtarësimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës me Kosovën.

Në mbledhjen e së hënës, Këshilli për Punë të Jashtme i bllokut 27-anëtarësh miratoi ndryshimet në Kapitullin 35 të negociatave me shtetin fqinj.

“Ndryshimet (në Kapitullin 35) janë miratuar sot nga Këshilli për Punë të Jashtme. Përditësimi do t’i transmetohet Serbisë nëpërmjet një letre. Dokumenti nuk është bërë publik”, tha Liss Jaansalu nga Këshilli i BE-së.

Referuar Shtojcës së Ohrit, BE-ja konfirmoi se obligimi i njëjtë do të zyrtarizohet së shpejti edhe për Kosovën.

“Ne mirëpresim vendimin e sotëm të Këshillit për përditësimin e kritereve, duke përshirë marrëveshjen në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim me Serbinë. Në këtë kontekst, do të përditësohet edhe agjenda e mbledhjes së radhës të Grupit Special të Normalizimit për Kosovën. Ne presim që të dyja palët të zbatojnë marrëveshjen dhe të gjitha detyrimet e tjera të dialogut të mbetura pezull – pasi kjo është çelës për rrugët përkatëse evropiane”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Këtë vendim, hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, e vlerësoi formë detyrimi në mungesë të vullnetit të palëve për zbatim të obligimeve.

“Kosova dhe as Serbia nuk mund t’i ikin në asnjë moment marrëveshjeve për të cilat janë dakorduar, veçanërisht në Ohër dhe në Bruksel. Kjo është parë sot me kushtëzimin e Serbisë për Kapitullin 35. Ndërkohë edhe për Kosovën do të jenë detyrime të reja. Nuk do të duhej obligimet të cilat i ke marrë përsipër vetë t’i zbatosh, të detyrohesh të zbatohen në rrugë të tjera, në atë që quhet rrugë drejt BE-së”, tha Jakaj.

Dokumenti për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 Mars 2023, në Ohër, saktëson që zbatimi i Marrëveshjes bazë dhe Shtojcës do të bëhet pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE për të dyja shtetet.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA