Chelsea ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit me përvojë Jordan Henderson, i cili do të jetë pjesë e skuadrës londineze për dy sezonet e ardhshme.
36-vjeçari i bashkohet “Bluve” si lojtar i lirë, pasi arriti marrëveshje me Brentfordin për ndërprerjen e kontratës me pëlqim të dyanshëm, edhe pse kishte ende një vit të mbetur në marrëveshjen e tij.
Afrimi i ish-kapitenit të Liverpoolit ishte një kërkesë e trajnerit të ri të Chelseat, Xabi Alonso, i cili synon t’i shtojë skuadrës më shumë eksperiencë, personalitet dhe mentalitet fitues në prag të sezonit të ri.
Henderson sjell me vete një karrierë të jashtëzakonshme, të mbushur me suksese. Gjatë viteve te Liverpooli ai fitoi tetë trofe madhorë, mes tyre titullin e Premier League dhe trofeun e Ligës së Kampionëve, duke u shndërruar në një nga liderët më të rëndësishëm të klubit anglez.
Sezonin e kaluar, mesfushori anglez ishte pjesë e Brentfordit, ku regjistroi 34 paraqitje në të gjitha garat, duke kontribuar me një gol dhe tri asistime.
Me transferimin e Hendersonit, Chelsea synon të forcojë repartin e mesfushës me një futbollist që ofron përvojë, qetësi dhe cilësi drejtuese, ndërsa Xabi Alonso beson se anglezi do të ketë një rol kyç në ndërtimin e projektit të ri të klubit nga “Stamford Bridge”.





