KF Dukagjini ka konfirmuar rikthimin e Armend Dallkut në postin e kryetrajnerit, duke i besuar edhe një herë drejtimin e skuadrës nga Klina.
Klubi bardhekaltër ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me ish-trajnerin e tij, i cili nis një tjetër kapitull në pankinën e Dukagjinit me synimin për të vazhduar projektin sportiv dhe për të çuar ekipin drejt objektivave të reja.
Dallku është një nga emrat më të respektuar të futbollit kosovar dhe e njeh mirë ambientin e klubit, pasi edhe më parë ka drejtuar Dukagjinin. Drejtuesit e klubit besojnë se përvoja, profesionalizmi dhe aftësitë e tij do të jenë vendimtare në konsolidimin e skuadrës dhe në arritjen e rezultateve të synuara.
Bashkë me Dallkun është prezantuar edhe stafi teknik që do ta shoqërojë në këtë aventurë të re. Artan Luzi dhe Agon Ramadani do të ushtrojnë detyrën e ndihmëstrajnerëve, ndërsa Rinor Xhemaj do të jetë përgjegjës për përgatitjen e portierëve.
Me këtë strukturë teknike, Dukagjini synon të krijojë stabilitet dhe vazhdimësi në punë, duke ndërtuar një skuadër konkurruese për sfidat e sezonit të ri.
Në fund të njoftimit, klubi i ka uruar mirëseardhje Armend Dallkut dhe stafit të tij, duke shprehur besimin se rikthimi i tyre do të shënojë fillimin e një periudhe të suksesshme për ekipin nga Klina.





