Selektori i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka publikuar sot listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të muajit shtator, në kuadër të Kampionatit Botëror 2026.
Në mesin e të ftuarve janë edhe dy futbollistët me origjinë shqiptare, Granit Xhaka dhe Ardon Jashari.
Të dy pritet të jenë titullarë në sfidën kundër Kosovës, e cila do të zhvillohet më 5 shtator në Basel. Kjo ndeshje është pjesë e kualifikimeve për Botërorin që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Pas sfidës me Kosovën, Zvicra do të përballet me Slloveninë më 8 shtator.
Nën drejtimin e kapitenit Xhaka, helvetikët synojnë të sigurojnë një vend në turneun më të madh të futbollit botëror. Ndërkohë, Ardon Jashari pritet të japë kontribut të rëndësishëm në këto ndeshje, pas transferimit të bujshëm te Milani disa javë më parë.
Zvicra dhe Kosova janë përballur tri herë më parë, të gjitha përballjet kanë përfunduar në barazim. Takimi i radhës do të jetë i katërti mes dy kombëtareve. /ATVLIVE.TV