Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka sqaruar se informacionet e publikuara së fundmi në lidhje me mosshtrenjtimin e energjisë elektrike nuk kanë të bëjnë me tarifat përfundimtare për të gjithë konsumatorët. Në një deklaratë për RTV21, ZRRE theksoi se këto lajme lidhen vetëm me tarifat e bursës ndërkombëtare të energjisë elektrike, ku realizohet shitblerja e rrymës nga Kosova dhe bizneset.
Sipas ZRRE-së, procesi i shqyrtimit të aplikacioneve për rritje të tarifave nga operatorët energjetikë – KOSTT, KEDS dhe KESCO – është ende në zhvillim. Rregullatori bëri të ditur se informacioni i publikuar ka të bëjë konkretisht me kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave për Operatorin e Nominuar të Energjisë Elektrike (ALPEX), për të cilin tarifat për vitin 2026 do të mbeten të pandryshuara krahasuar me periudhën e kaluar.
“Ky vendim nuk ndërlidhet me tarifat e operatorëve të tjerë energjetikë, të cilat janë ende subjekt i rishikimit dhe vlerësimit të aplikacioneve për të hyrat e lejuara maksimale”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.
Vendimi përfundimtar nëse do të ketë apo jo shtrenjtim të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët pritet të merret gjatë muajit mars. Në rast të miratimit të tarifave të reja, ato do të aplikohen në faturat e energjisë duke filluar nga muaji prill.
Ditë më parë, është bërë e ditur se kompania KESCO ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21 për qind, duke arsyetuar kërkesën me rritjen e kostove operative, përfshirë edhe rritjen e pagës minimale nga 425 në 500 euro.






