Ëndërronte të studionte për mjekësi, por në moshën kur do të duhej të vendoste për të nisur studimet e larta, u martua.
Laureta Lemezhi, nga fshati Blinisht i Lezhës – pjesa veriore e Shqipërisë – thotë se ende e mundon fakti që nuk arriti të shkollohej në degën e saj të preferuar, për shkak të “mentalitetit në fshat”, por edhe pamundësisë ekonomike.
Ajo thotë se në zonën e saj, ashtu si edhe në të tjerat përreth, kur vajza e arrinte moshën 18-vjeçare, familja vendoste për “të ardhmen” e saj.
Laureta tregon se u bë shpejt nënë e dy fëmijëve dhe, krahas rritjes së tyre, i duhej të përkushtohej jo vetëm në punët e shtëpisë, por edhe në ato të fshatit – t’i kulloste bagëtitë, të prashiste e të korrte.
“Gjatë gjithë kohës, teksa i shihja fëmijët të rriteshin, mendoja me vete: Çfarë të bëj që ata të mos mbeten pa arsimim të lartë si unë? Shpesh thosha se për veten nuk mund të bëja më asgjë, veçse të pajtohesha me fatin tim, për të qenë një grua si shumë të tjera që stërmundohen në punë të papaguara…”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë 38-vjeçarja.
Por, “pas lodhjes së çdo dite”, vazhdon ajo, “thellë-thellë brenda meje më dukej sikur një zë më fliste, më shtynte qoftë edhe për të ëndërruar se edhe pa arsim të lartë, do ia dal të gjej një mundësi për të pasur diçka timen, biznesin tim”.
Dhe ky zë brenda saj nuk e la t’i shuhej shpresa derisa ngriti biznesin “ZaDream”.
E vetme përballë paragjykimeve
Për Lauretën ndryshoi gjithçka në vitin 2014, atëherë kur disa murgesha italiane të një misioni katolik u vendosën në fshatin e saj.
Kujton se murgeshat i vizituan shtëpitë e fshatit, duke kërkuar nga gratë që të merrnin pjesë në një trajnim për t’u bërë “të zonjat e vetes”.
Laureta iu përgjigj thirrjes, bashkë me katër gra të tjera, por thotë se nuk ishte e lehtë.
“Pse po e humb kohën kot, kur i ke 100 punë që të presin dhe janë për ty? Kjo ishte pyetja që ma drejtonin të afërm dhe fqinj apo kushdo tjetër në fshat, kur më shihnin që shkoja çdo ditë te misioni katolik. Pas disa kohësh nuk pyesnin më pse, por e bënin fakt të kryer se nuk ia vlen”, kujton Laureta.
Me gjithë paragjykimet dhe punët e përditshme, ajo e ndoqi trajnimin çdo ditë për një vit.
Bashkë me katër gratë e tjera, ajo mësoi se si t’i shfrytëzonte bimët mjekësore të zonës dhe vajin e ullirit që prodhohej nga banorët e Blinishtit, për të prodhuar sapunë artizanalë.
Ato, po ashtu, mësuan se si të ngrenë një biznes, si ta menaxhojnë dhe reklamojnë atë.
Pas një viti ishte më e bindur se kurrë se kishte ardhur momenti që e priste: të kishte biznesin e saj. Dhe objektin për të ngritur punishten ia ofruan murgeshat italiane.
Prej tetë vjetësh prodhon sapunë artizanalë
“Nisi tetë vjet më parë. Biznesin tim e pagëzova me emrin ‘ZaDream’, dhe sot ndjehem kaq mirë që nuk ua vura veshin paragjykimeve, edhe pse nuk e pata aspak të lehtë”, thotë Laureta.
“Unë isha e vetmja nga pesë gratë që e ndërmora këtë nismë, pasi katër të tjerat emigruan bashkë me familjet e tyre. Të prodhosh vetë sapunë, për mua është sikur gatuan një ëmbëlsirë, që me përbërësit e duhur dhe me dashurinë për gatimin, nuk ka sesi të dalë ndryshe veçse shumë e mirë. Trokisja derë më derë për ta prezantuar produktin tim. Herë merrja përgjigje pozitive, herë zhgënjehesha, por asnjëherë nuk u ndala”, thotë Laureta.
Duke trokitur në çdo derë të mundshme gjithandej Shqipërisë, ajo arriti të sigurojë disa pika shitjeje në Tiranë, Krujë, Gjirokastër e Sarandë, por edhe të eksportojë në Itali.
“Arrita të siguroja të ardhura për veten dhe familjen. Dhe, ajo që më bënte të ndjehesha shumë mirë, ishte fakti se tashmë nuk druhesha kur takoja dikë nga të afërmit apo fqinjët. Më parë më thoshin se po humbja kohë kot, ndërsa kur e panë që puna po ecte, biznesi që ngrita po funksiononte… nuk më bezdiste më paragjykimi i tyre. Disa i shmangin komentet, të tjerë më përgëzojnë për nismën dhe këmbënguljen. Për mua është e rëndësishme që ia dola”, thotë Laureta.
Ajo tregon se biznesi i saj është bërë tashmë biznes i familjes.
“Bashkëshorti më ndihmon me transportin, ndërsa fëmijët më ndihmojnë me reklamimin në rrjetet sociale”, thotë Laureta.
Vështirësitë e një artizaneje për të mbijetuar në treg
Laureta tregon se shpërndarja e produkteve të saj është zvogëluar viteve të fundit, pasi ky lloj biznesi ka nisur të shtrihet edhe në zona të tjera.
Ajo nuk shet më në Sarandë, Gjirokastër apo Krujë, por ka një pikë shitjeje në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit dhe një tjetër pranë fermës agro-turistike “Mrizi i Zanave”, që gjendet në zonën e saj dhe vizitohet nga mijëra turistë.
Laureta është falënderuese jo vetëm për pronarin e këtij biznesi, por edhe për këdo tjetër që e ka ndihmuar të arrijë deri këtu. Ashtu siç ka njerëz që e ndihmojnë, ashtu ka edhe mjaft të tjerë që ndihmohen prej saj.
Nëse në fillimet e punës së saj i mblidhte vetë bimët mjekësore, tani ato ua blen fshatarëve të Blinishtit – sherbele, rozmarinë, livandë, dafinë, shegë dhe portokaj. Prej tyre blen edhe vajin esencial të bimëve mjekësore dhe vajin e ullirit. Vetëm vajin e kokosit e siguron nga importi.
“Ka edhe muaj që nuk shes asgjë, por ka të tjerë kur biznesi ecën mjaft mirë. Tani po afron sezoni turistik, edhe pse rrallë ndodh të vijnë turistë për të vizituar punishten, sezoni ofron mundësinë e panaireve dhe aty vendos kontakte me klientë, që më vonë i bëjnë porositë online. Kanë nisur t’i preferojnë sapunët e mi edhe si dhurata për të afërm dhe miq”, thotë 38-vjeçarja.
“Biznesin e shoh si mundësi që fëmijët të mos më emigrojnë”
Laureta thotë se veç ndihmës së misionit katolik në Blinisht dhe disa bizneseve, nuk ka marrë asnjëherë mbështetje nga institucionet. E, megjithatë, është e vendosur ta mbajë gjallë biznesin e saj, por jo vetëm për të ardhurat që i siguron.
“Përtej fitimit, prodhimi i sapunëve, ky biznesi im i vogël më ka bërë ta vlerësoj veten. T’i di vlerat e mia, që janë vlerat e çdo gruaje, sidomos në fshatrat e veriut, ku gratë punojnë më shumë se çdo burrë dhe nuk vlerësohen. Po punoj shumë që të mund t’i shkolloj fëmijët e mi, t’i kryejnë studimet e larta që unë nuk arrita t’i kryej, për shkak të pamundësisë ekonomike”.
“Po mundohem gjithashtu t’ua mësoj fëmijëve të mi, djalit dhe vajzës [18 dhe 16 vjeç], këtë zanat, ta duan ashtu si unë dhe ta rrisin më tej biznesin, sepse nuk dua të më ikin, të emigrojnë si shumë bashkëmoshatarë të tyre në Blinisht, në Lezhë apo në gjithë Shqipërinë”, thotë Laureta.
Zona e Zadrimës, siç njihet ajo nga vjen edhe Laureta, është shndërruar në një nga qendrat kryesore të zejtarisë në Shqipëri. Një pjesë e mirë e familjeve në këtë zonë ushtron veprimtari artizanale – si punime qeramike, veshje tradicionale, prodhim sapunësh etj. – që kryesisht drejtohen nga gratë.
Këto nisma kanë marrë jetë nga mbështetja që ka ardhur nga Kisha Katolike në këtë zonë dhe më pas organizatat joqeveritare i kanë ndihmuar në reklamim. /rel