Zjarrfikësit në Francë dhe në Spanjë vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret masive pyjore që kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Të dyja vendet po përgatiten, po ashtu, për një valë të re të të nxehtit që pritet ta përkeqësojë situatën nga e mërkura.
Në Francë, zjarrfikësit arritën ta frenojnë përhapjen e zjarrit pranë qytetit të Bordosë gjatë natës.
Në Spanjë, autoritetet lejuan banorët e nëntë prej 11 qyteteve të evakuuara në provincën Toledo, të kthehen në shtëpitë e tyre.
Megjithatë, zjarret vazhdojnë të djegin hapësira jashtë kontrollit në rajonin e Madridit dhe në provincat fqinje Avila dhe Toledo.
Një banor i evakuuar nga zjarret në Spanjë e përshkroi situatën si “një ferr të kuq”, duke thënë se njerëzit u larguan me nxitim, duke marrë me vete vetëm rrobat që kishin veshur, raporton Reuters.





