PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Shpërfillja e kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë në raport me veprimet në veri, mund t’i kushtojnë Kosovës me masat shtesë nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i bllokut 27-anëtarësh, Peter Stano, njoftoi se rekomandimi i shefit, në largim, të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për heqjen e masave nuk ka prodhuar vendim
“Masat janë ende në fuqi, sepse shtetet anëtare nuk kanë vendosur të veprojnë ose të procedojnë bazuar në raportin e Përfaqësuesit të Lartë, të dorëzuar javë më parë. Që nuk është çudi, sepse nëse ju kujtohet masat ishin vendosur ndaj administratës në Prishtinë, në qershor të vitit të kaluar, për faktin se po ndodhte shumëçka që çonte në përshkallëzim. Dhe, në vend të hapave për de-përshkallëzim, më shumë e më shumë veprime dhe hapa të njëanshëm që çojnë në përshkallëzim janë ndërmarrë nga këta njerëz”, tha Stano.
Teksa, sërish, Qeverisë iu referua si administratë, zëdhënësi Stano nuk përjashtoi mundësinë e ashpërsimit të ndëshkimit, nëse kërkesat e BE-së shpërfillen.
“Çfarë do të bëjmë? Kemi masat në fuqi dhe masat mund të shtohen nëse të gjithë akterët e BE-sëpajtohen që ato duhet të shtohen. Ua kemi bërë të qartë në Kosovë, në disa nivele, në disa mënyra dhe nëpërmjet shumë partnerëve. Nuk është vetëm Bashkimi Evropian, të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i tregojnë administratës në Prishtinë që të mos angazhohen në këtë seri të hapave kundër produktiv, negativ, të njëanshëm dhe të pakoordinuar. Shpresojmë që më në fund ata të dëgjojnë mesazhin dhe do të na ndalin nga shqyrtimi se çfarë lloj masash mund të marrim si përgjigje nëse situata nuk ndryshon”, deklaroi Stano.
Të mërkurën mbrëma, zëdhënësi i Departamenti Amerikan i Shtetit, Matthew Miller, tha se SHBA-ja është e shqetësuar me siç thanë “vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara të lidershipit të Kosovës”.
Krahas vlerësimit se vendimet e Qeverisë “vënë në rrezik mundësitë që SHBA-të i kanë ndihmuar Kosovës t’i krijojë”, Miller kërkoi që “Qeveria e Kosovës të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”./atvlive.tv
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:






