Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij nuk po zhvillon luftë në Lindjen e Mesme dhe se nuk do të përfshihet në konfliktin aktual në rajon.
Macron e tha këtë në një mesazh të ndarë në Instagram.
“I kuptoj dhe i dëgjoj shumë mirë shqetësimet tuaja, por dua të jem absolutisht i qartë. Franca nuk është pjesë e kësaj lufte. Ne nuk po luftojmë dhe nuk do të përfshihemi në këtë luftë”, tha Macron.
Ai theksoi se aktivitetet e Parisit në rajon kanë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe aleatëve francezë, dhe jo pjesëmarrjen në konflikt.
“Franca nuk po bën luftë në këtë rajon. Ajo mbron popullin francez, aleatët e saj dhe qëndron në krah të Libanit”, tha Macron.
Franca ka vendosur kapacitete shtesë ushtarake në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen franceze “Charles de Gaulle”, ndërsa tensionet rriten pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj Iranit dhe lëvizjeve hakmarrëse të Teheranit.
Sipas Macron, vendosja e forcave synon të ndihmojë aleatët të kapin dronë dhe raketa dhe të mbrojnë rrugët detare.
“Po mobilizohemi në një mënyrë krejtësisht paqësore në mënyrë që të përpiqemi të sigurojmë trafikun detar”, tha ai.
Macron tha gjithashtu se Franca po kërkon të formojë një koalicion me partnerët për të mbrojtur rrugët detare në rajon që janë thelbësore për ekonominë globale, duke theksuar se Parisi synon të veprojë me përmbajtje.
“Do të përpiqemi të jemi sa më të arsyeshëm dhe paqësorë të jetë e mundur, sepse ky është roli i Francës”, shtoi ai.






