Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian që të dërgojnë një mesazh të qartë politik për mbështetjen e anëtarësimit të Ukrainës në BE, ndërsa Hungaria vazhdon të pengojë procesin, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një fjalim të enjten në mbrëmje, Zelensky theksoi rëndësinë e mbështetjes së BE-së për Ukrainën, duke theksuar se kjo do t’i japë forcë dhe motivim atyre që po luftojnë kundër agresionit rus.
Kjo deklaratë erdhi vetëm disa orë pasi kryeministri hungarez, Viktor Orbán, pretendoj se ka mandat për të bllokuar hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës, duke u bazuar në një sondazh ku thuhet se 2.2 milionë hungarezë janë kundër këtij procesi.
Orbán po pengon hapjen e kapitujve të vlerave të BE-së që lidhen me institucionet demokratike, pavarësinë e gjyqësorit dhe administratën publike.
Për më tepër, Zelensky kërkoi që BE-ja të ashpërsojë sanksionet ndaj Rusisë, duke propozuar një kufizim prej 30 dollarësh për të ardhurat nga nafta ruse, në krahasim me 60 dollarë që aktualisht janë vendosur nga vendet e G7.