Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar zyrtarisht dërgesat ushtarake për Kievin, pas një ndërprerjeje të shkurtër që ndodhi javën e kaluar.
Lajmi është bërë publik të premten, ndërsa ai ka njoftuar se në ditët në vijim do të intensifikohen kontaktet me përfaqësuesit amerikanë për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në një adresim për publikun, Zelensky ka treguar se Ukraina ka marrë sinjale të qarta nga SHBA dhe aleatët perëndimorë për rifillimin e ndihmës ushtarake dhe përkushtimin e tyre ndaj forcimit të kapaciteteve të ushtrisë ukrainase.
“Jemi duke punuar aktualisht me partnerët për furnizime të reja, rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë dhe mbështetje më të mirë për ushtrinë tonë”, ka thënë Zelensky.
Ai gjithashtu ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillohen takime në nivel të lartë me përfaqësuesin e posaçëm të SHBA-së, Keith Kellogg, për të koordinuar më tej ndihmën ushtarake amerikane.
“Javën e ardhshme, do të vazhdojmë të punojmë me palën amerikane në nivel ushtarak, po ashtu jemi duke u përgatitur për pakot e reja të mbrojtjes nga Evropa”, ka shtuar ai.