Kimikatet e përdorura për sende të zakonshme plastike shtëpiake janë cilësuar si shkak i mundshëm i sëmundjeve të zemrës dhe qindra-mijëra vdekjeve.
Kimikatet e quajtura ftalate gjenden në tuba dhe kozmetikë, sprej, detergjent dhe tretës, dhe mund të gëlltiten pasi ato shpërbëhen në grimca mikroskopike si pjesë e përdorimit të përditshëm të artikujve në të cilët gjenden.
Sipas një ekipi shkencëtarësh pranë Universitetit të Nju Jorkut (NYU), “ekspozimi ditor” ndaj këtyre artikujve “mund të lidhet me mbi 356 mijë vdekje nga sëmundjet e zemrës në botë më 2018”, ku shumica e vdekjeve ndodhin në Indi, Kinë dhe Indonezi.
“Duke theksuar lidhjen midis ftalateve dhe një shkaku kryesor të vdekjes në mbarë botën, gjetjet tona i shtohen numrit në rritje të provave që këto kimikate paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut,” tha Sara Hyman nga Shkolla e Mjekësisë Grossman e Universitetit të Nju Jorkut.
Sipas ekipit të NYU, studimet e mëparshme i kanë lidhur këto kimikate “me një rrezik në rritje të kushteve që variojnë nga obeziteti dhe diabeti te problemet e fertilitetit dhe kanceri”.
“Studime të tjera kanë treguar se ekspozimi nxit një përgjigje imune tepër aktive (inflamacion) në arteriet e zemrës, e cila lidhet me kalimin e kohës me një rrezik në rritje të sulmit në zemër ose goditje në tru,” tha ekipi në një studim të botuar në eBiomedicine, një botim i drejtuar nga Lancet, një botues mjekësor britanik.
“Plastika përbën një rrezik të konsiderueshëm për rritjen e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare, duke prekur në mënyrë disproporcionale rajonet që kanë sektorë të prodhimit të plastikës në zhvillim”, tha ekipi në punimin e tyre.
Ndotja nga plastika dhe përhapja e grimcave në trupin e njeriut është e lidhur me probleme të shumta shëndetësore, dhe hulumtimet e fundit tregojnë se të ashtuquajturat mikroplastikë dhe nanoplastikë gjejnë rrugën e tyre në gjak, tru, placentë, organet gjenitale dhe transmetohen nga nëna tek fëmija i pa lindur gjatë shtatzënisë, raporton KosovaPress.