Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur sot në Prishtinë një sesion informues me përfaqësuesit e zyrave të gjendjes civile nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.
Sipas njoftimit të MPB-së, takimi kishte për qëllim informimin dhe koordinimin ndërinstitucional, si dhe diskutimin e çështjeve praktike që ndërlidhen me kompetencat e gjendjes civile, veçanërisht procedurat për shtetasit e huaj dhe zbatimin e dispozitave ligjore në praktikë.
Gjatë sesionit, Shefja e Kabinetit në MPB, Jeta Tela, theksoi se përputhja e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjete, lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim dhe proceset e tjera integruese. Ajo vlerësoi se zbatimi i ligjeve në mënyrë transparente dhe pa diskriminim është thelbësor për përmbushjen e pritshmërive pas liberalizimit të vizave dhe për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.
Po ashtu, u theksua roli i rëndësishëm që kanë zyrat e gjendjes civile në të gjitha komunat për zbatimin korrekt të obligimeve ligjore që burojnë nga këto dy ligje. Në këtë kontekst, u nënvizua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera relevante, për shkëmbim të informatave dhe adresim të sfidave që mund të paraqiten gjatë punës në terren.
Nga MPB u bë e ditur se ky sesion informues është pjesë e një fushate intensive, përmes së cilës synohet përfshirja e të gjithë akterëve relevantë dhe sigurimi që informacionet të arrijnë te qytetarët, shtetasit e huaj dhe vizitorët, përmes formave të ndryshme të komunikimit.
Fushata informuese, sipas njoftimit, do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me qëllim të lehtësimit të qasjes në informata dhe sigurimit të respektimit të legjislacionit në fuqi.






