Pas zbatimit të Sistemit të Hyrje/Daljeve (EES) nga Bashkimi Evropian, transportues nga disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë bllokuar pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen. Si pasojë, janë shkaktuar vonesa të mëdha dhe ndërprerje serioze në zinxhirin e furnizimit.
Lidhur me këtë situatë, Aleanca Kosovare e Bizneseve ka ngritur alarmin për pasojat ekonomike që po shkaktohen nga bllokadat kufitare. Kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini, ka paralajmëruar se këto bllokada po shkaktojnë humbje mbi një miliard dollarë në ditë në qarkullimin e mallrave ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Sipas Shahinit, përveç humbjeve direkte financiare, kompanitë po përballen edhe me kosto shtesë, pasi janë të detyruara të gjejnë shoferë të rinj për shkak të pritjeve të gjata dhe ndërprerjeve në transport.
Ndërkohë, ekonomisti Jakup Bellaqa ka vlerësuar se ky sistem po i shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike rajonit, veçanërisht për shkak të vonesave në dorëzimin e mallrave dhe pengesave në tregti.
Si një vend që importon një pjesë të madhe të mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndiejë drejtpërdrejt pasojat e këtyre bllokadave në qarkullimin e mjeteve transportuese.
Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka njoftuar se, sipas informacioneve të pranuara nga autoritetet kufitare të Serbisë, pritet ndërprerje e qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.






