YouTube po rikthen përpjekjet për të integruar funksionin e mesazheve direkte në platformën e tij.
Sipas faqes së mbështetjes, YouTube ka filluar testimin e mesazheve direkte si mënyrë që përdoruesit të ndajnë video dhe të diskutojnë për to.
Testi është i destinuar për përdorues mbi 18 vjeç në Irlandë dhe Poloni.
Megjithatë, edhe pse mesazhet direkte zakonisht lidhen me privatësi, Google ka theksuar se “mesazhet mund të shqyrtohen për të siguruar që përmbushin udhëzimet e komunitetit”.
Kjo nuk është hera e parë që platforma e videove tenton të mundësojë dërgimin e mesazheve. YouTube kishte shtuar mesazhet direkte në aplikacionin e tij në vitin 2017, por i hoqi ato në vitin 2019 për t’i dhënë përparësi bisedave publike në seksionet e komenteve.
Testi i ri për ndarjen brenda ekosistemit të YouTube nuk do të ndryshojë mënyrat e tjera që përdoruesit përdorin për të dërguar video tek të tjerët.
Rikthimi i të njëjtit sistem gjashtë vjet pas heqjes së tij duket një zgjedhje e çuditshme, por Google pretendon se kjo është “funksioni më i kërkuar”, kështu që këtë herë mund të ketë një përdorim më të gjerë. /Telegrafi/







