Në ndeshjen e fundit miqësore para nisjes së sezonit të ri, Xherdan Shaqiri ishte titullar për Baselin në përballjen ndaj Juventusit. Takimi përfundoi me rezultat 0-0, ndërsa futbollisti shqiptar u zëvendësua në pushimin mes pjesëve, duke ngritur pikëpyetje rreth gjendjes së tij fizike.
Pas përfundimit të ndeshjes, Shaqiri u paraqit në intervistë për mediumin zviceran “Blue Sport”, ku u pa duke çaluar lehtë. I pyetur nëse gjithçka ishte në rregull, ai u përgjigj:
“Gjithçka është mirë”, por më pas pranoi se kishte pasur probleme fizike gjatë javëve të fundit.
“Kam pasur dhimbje në shpinë dhe në tendinën e Akilit gjatë javëve të fundit. Stafi teknik vendosi të më zëvendësonte në pushim”, deklaroi Shaqiri.
Ky vendim duket se ka qenë një masë paraprake, pasi sezoni i ri nis pas vetëm një jave dhe Baseli nuk dëshiron të rrezikojë me lojtarin e tij më të rëndësishëm.
Duke komentuar ndeshjen ndaj Juventusit, Shaqiri theksoi se skuadra italiane ka cilësi të jashtëzakonshme, por edhe Baseli arriti të krijojë raste të mira. Një prej tyre ishte një goditje dënimi nga rreth 17 metra, të cilën portieri Michele Di Gregorio e neutralizoi pa shumë vështirësi.
Barazimin 0-0 ndaj Juventusit, Shaqiri e cilësoi si “një rezultat pozitiv”, ndërsa foli edhe për ndryshimet e shumta në skuadër gjatë verës.
“Çdo gjë është e mundur. Lojtarët që vijnë te FC Basel duhet ta dinë se ne luajmë për trofe”, u shpreh ai, duke shtuar se objektivi i klubit është të mbetet në garë për titull deri në fund të sezonit.
Megjithatë, përveç deklaratave të tij, edhe gjuha e trupit të Shaqirit la hapësirë për diskutime. Ylli i Baselit nuk dukej në humorin më të mirë dhe mbetet për t’u parë në javët e ardhshme nëse bëhet fjalë vetëm për shqetësime fizike apo nëse fshihet diçka më shumë pas kësaj situate.





