Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit B.R., i cili dyshohet se të hënën mbrëma ka vrarë me armë zjarri djalin e axhës së tij, I.R.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Ferizajt, si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, krimi i rëndë ka pasur si motiv një konflikt pronësor mes dy kushërinjve.
Pas një fjalosjeje verbale në rrugën e fshatit, i pandehuri dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka shtënë katër herë në drejtim të viktimës.
Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, duke e lënë të dyshuarin në paraburgim për 30 ditë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.