Avokati i familjes së Gani Gjokajt, njërit prej të vrarëve në Gllogjan më 2021, Arianit Koci, ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit, Halil, Kastriot e Kreshnik Mehemtaj.
Ai ka thënë se Gjokaj, nuk ishte viktimë e rastësishme, por ishte shënjestër, shkruan Koha.net.
“Të gjithë e përshkruajnë të njëjtën skenë, që një person i maskuar ecte si i dehur që autobusi të ndalte shpejtësinë. U vërtetua se Gani Gjokajn ngriti duart, si shenjë vetëmbrojtje. Nga raportet e autopsisë u vërtetua vdekja e tre viktimave. Plumbat nuk e prekën vetëm hekurin e autobusit, por prekën jetë njerëzish. Nga bastisjet në shtëpinë e të akuzuarve u vërtetua se u gjetën 157 fishekë… kërkojmë të akuzuarit të shpallen fajtor, sipas aktakuzës. Kërkojmë që nga të akuzuarit, të shpallet dënimi më i rëndë, burgimi i përjetshëm”, është shprehur Koci.
Ai ka thënë se ky është dënimi që i jep kuptim drejtësisë.
Dënim maksimal ka kërkuar edhe bashkëshortja e Gjokajt. “Shpresoj të jepet dënimi maksimal” , ka theksuar ajo.
Përveç Gjokajt, që ka qenë shofer i autobusit ku ka ndodhur rasti, u patën vrarë edhe dy të miturit, L.H. 17-vjeçar dhe G.M. 17-vjeçare.
Në seancën e së hënës nxënësit që kanë qenë në autobus, në kohën kur ka ndodhur rasti, kanë kërkuar drejtësi shokët e tyre.





