Vrasja e Liridona Ademajt, shtyhet gjykimi ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

Në Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë hënë është shtyrë shqyrtimi fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Seanca u shty për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Kokallës, avokati, Ndrec Dodaj si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Tomë Dodaj, avokati Tomë Kuçi deklaruan se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Dodaj tha se shkresat e lëndë i ka pranuar dhjetë minuta para se të nis kjo seanca, dhe se nuk ka arritur që të flas me klientit të tij apo t’ia shpjegoi të njëjtit çështjen e provave, duke shtuar se nuk ka kushte për vazhdimin e kësaj seance.

Lidhur me këtë, prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq tha se më 22 janar 2025, avokati Skender Bojani e ka marrë shkresat e lëndës në emër të avokatit Ndrec Dodaj.

“Kam bisedu me avokatin dhe me tha qe shkon me i marrë për veti dhe i thash me e marrë edhe lëndën time. Kur kam shku në prokurori, me kërkesë të avokatit, kam thënë që a muj me i marrë edhe shkresat e avokatit Dodaj. Unë e kam njoftuar ditën e premte apo të shtunën, dhe aj me tha vi të hënë i marr”, tha avokati Bojani.

Po ashtu, sipas prokurores edhe mbrojtësi i të pandehurit Dodaj, avokati Kuçi kishte pasur problema me email dhe i njëjti nuk i kishte pranuar shkresat e lëndës.

“Unë kam pas probleme dhe vazhdoj me pas, sot e kam marr aktakuzën… i mbrojturi im gjatë gjithë procedurat penale ka pranu fajësinë por sot si mbrojtje nuk mundemi të deklarohemi për pranimin e fajësisë”, shtoi avokati Kuçi.

Lidhur me mos pranimin e shkresave të lëndës, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmaku tha se prokuroria i ka njoftuar me kohë mbrojtësit e të pandehurve që për shkak të volumit të provave të njëjtit të vijnë më ‘external disk’ për të marrë provat.

Ajo tha se për shkak të papërgjegjshmërisë së avokatëve Dodaj dhe Kuçi, nuk ka kushte për vazhdim të seancës dhe e njëjta u shty.

“Nuk mundemi me vazhu me këtë shqyrtim, meqenëse avokatët Ndrec Dodaj dhe Agron Kuçi nuk janë të pajisur me shkresat të lëndës… Është hera e fundit që unë shtyj shqyrtimin për papërgjegjësitë e juaja”, tha gjyqtarja Dërmaku.

Lidhur më këtë, avokati Dodaj, kërkoi që të bënte një replikë, e cila nuk u lejua nga gjyqtarja Dërmaku.

Përkundër kësaj, paraprakisht avokatit Dodaj iu tërhoq vërejta nga gjykata për mbajtje të qetësisë dhe mosprishjes së rendit.

I njëjti, megjithatë tentoi që të merrte fjalën gjatë seancës, ku në këtë rast atij iu shqiptua një gjobë në shumë prej 500 euro për mosbindje ndaj gjyqtares.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA