Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u zotua të enjten të krijojë një “Bashkimin Evropian të Mbrojtjes” dhe të qëndrojë në kursin e tranzicionit të gjelbër të Evropës, në një fjalim para ligjvënësve evropianë të enjten, para votimit për një mandat të saj të dytë në krye të Komisionit Evropian.
on der Leyen paraqiti një program të fokusuar në prosperitetin dhe sigurinë, ndërsa ajo kërkoi mbështetje nga ligjvënësit për një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të organit të fuqishëm ekzekutiv të Bashkimit Evropian, raporton Reuters.
“Pesë vitet e ardhshme do të përcaktojnë vendin e Evropës në botë për pesë dekadat e ardhshme. Në këto vite do të vendoset nëse ne e formojmë të ardhmen tonë ose do ta lëmë atë të formësohet nga ngjarjet apo nga të tjerët”, ka deklaruar ajo përpara një votimi të fshehtë për kandidaturën e saj më vonë.
Pasi u zotua të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet në luftën e saj kundër pushtimit rus, von der Leyen tha se liria e Evropës është në rrezik dhe ajo duhet të investojë më shumë në mbrojtje.
Von der Leyen, një ish-ministre gjermane e Mbrojtjes, është zotuar të krijojë “një Bashkim të vërtetë Evropian të Mbrojtjes”, me projekte kryesore në mbrojtjen ajrore dhe kibernetike.
Ajo gjithashtu u zotua t’u përmbahet objektivave të përcaktuara në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, një paketë klimatike që ishte një nga politikat kryesore të mandatit të saj të parë.





