PËRGATITI: ARTON HAMITI
Vizita dyditëshe në Kosovë, e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, William Burns, po konsiderohet si më e rëndësishmja e viteve të fundit.
“Vizita e të parit të CIA-s, e jep mesazhin e qartë në drejtim të pozicionimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit të tyre inteligjent. Pra veprimet janë të qarta që CIA e sheh Kosovën si partner në rrugëtimin e përmbushjes se politikave demokratike, që janë parakusht i integrimeve euroatlantike”, deklaroi eksperti i sigurisë, Drizan Shala
Gjatë qëndrimit të tij në disa vende të Ballkanit, sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, Burns përçoi mesazhe direkte të presidentit aktual amerikan, Joe Biden.
“Ballkani Perëndimor ishte vatër e krizave dhe kjo e ka shtyrë të parin e CIA-s që të vijë dhe të përcjellë mesazhe direkte të presidentit Biden se çdo lëvizje pa koordinim në kohën kur Ukraina tashmë ka hyrë në Rusi, është regres dhe të mos veprohen kundër interesave të SHBA-së”, shtoi tutje Shala.
Ndonëse nuk e përjashtoi mundësinë që në takimet me krerët e shëtit, shefi i inteligjencës amerikane ka përmendur veriun, profesori i lëndëve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, vizitën më shumë e ndërlidh me luftën Ukrainë – Rusi.
“Pa mëdyshje që ka një relacion këto ngjarje, por ajo që unë e kam lexuar edhe nga ato informata që unë kam, bëhet fjalë për diçka më tepër sesa Ura e Ibrit, më tepër sesa veriu i Kosovës. Bëhet fjalë për strategjinë amerikane lidhur me situatën e përgjithshme, e posaçërisht eskalimin e situatës në Ukrainë dhe Rusi, meqë bëhet fjalë për një përshkallëzim të situatës atje, duke e ditur faktin se kohëve të fundit ka përparime të Ukrainës në territorin rus, një strategji e paparë deri më tani, e cila pa mëdyshje shkakton një ofensivë shumë më e madhe, një format tjetër i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe pretendimet e kamotshme të Putinit për të atakuar shtetet të cilat e mbështesin Ukrainën, sepse në aspektin operativ ushtarak, bëhet fjalë për armatime të sofistikuara të cilat tani janë duke u përdorur atje”, tha Çollakaj.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, vizitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, William Burns, e ka cilësuar historike.
Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi./atvlive.tv/
Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:






