Vetëm pak ditë para çerekfinales së Kupës së Botës 2026, që zhvillohet të shtunën në Miami, Anglia dhe Norvegjia po përballen me probleme shëndetësore që mund të ndikojnë në përgatitjet e tyre.
Sipas Daily Mail, mesfushori i Anglisë, Declan Rice, është infektuar me një virus dhe është vendosur në izolim për të parandaluar përhapjen e tij te pjesa tjetër e skuadrës.
Futbollisti i Arsenalit ka munguar në dy seanca stërvitore radhazi për shkak të gjendjes së tij, ndërsa Federata Angleze e Futbollit ka ndërmarrë masa të menjëhershme duke e mbajtur të veçuar nga grupi. Megjithatë, në kampin anglez besohet se situata është nën kontroll dhe se asnjë lojtar tjetër nuk është prekur.
Rice kishte pasur më herët edhe shqetësime fizike në kofshë dhe në pjesën e poshtme të shpinës, ndaj mungesa e tij në sfidën ndaj Norvegjisë do të ishte një goditje e rëndësishme për Anglinë.
Probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në kampin norvegjez. Portieri Orjan Nyland ka konfirmuar se disa futbollistë janë sëmurë, ndërsa stafi mjekësor po punon për ta mbajtur situatën nën kontroll.
“Është e vërtetë, kemi pasur probleme. Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe mjeku ynë është shumë i angazhuar për momentin. Shpresojmë që gjithçka të jetë mirë dhe të përballemi me Anglinë me një ekip plotësisht të gatshëm”, deklaroi Nyland.
Dy futbollistë norvegjezë kanë munguar tashmë në ndeshje për shkak të sëmundjes. Sulmuesi Jørgen Strand Larsen nuk luajti në ndeshjen e parë të turneut, ndërsa Marcus Holmgren Pedersen mbeti jashtë përballjes ndaj Brazilit. Gjatë konferencës për shtyp është vënë re gjithashtu edhe trajneri Ståle Solbakken duke kollitur, çka ka shtuar shqetësimet në kampin norvegjez.
Angli – Norvegji konsiderohet një nga përballjet më interesante të çerekfinaleve të Botërorit 2026, por përpara se të sfidojnë njëra-tjetrën në fushë, të dyja kombëtaret po përpiqen të fitojnë edhe betejën me virusin.





