Një person është arrestuar të martën në Prishtinë në lidhje me një rast të vrasjes në tentativë, që kishte ndodhur disa muaj më parë në kryeqytet..
Policia ka njoftuar se i dyshuari është një mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim nga autoritetet që prej pranverës së këtij viti.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja për të cilën ai dyshohet ka ndodhur në mbrëmjen e 23 prillit në rrugën “Rexhep Krasniqi” në Prishtinë.
Hetimet intensive të zhvilluara nga njësitet përkatëse policore kanë çuar në identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit pas më shumë se pesë muajsh.
Pas ndalimit, i dyshuari është intervistuar në stacionin policor në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të rastit, ai është dërguar në mbajtje.





