Prej 19 ministrive të kabinetit të ri qeveritar të Albin Kurtit, të votuar mbrëmjen e së mërkurës, vetëm pesë gra kanë marrë drejtimin e këtyre institucioneve.
Donika Gërvalla do të vazhdojë të jetë zëvendëskryeministre e dytë. Edhe këtë mandat ajo do të jetë ministre, veçse kësaj here jo e Diasporës, por e Drejtësisë.
Ministrinë e Kulturës, tash do ta drejtojë Saranda Bogujevci. Ndërsa Fitore Pacolli në Qeverinë Kurti 3 do të jetë ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në krye të Ministrisë së Ekonomisë edhe për katër vite do të vazhdojë të qëndrojë Artane Rizvanolli.
Ndërsa në vend të Rozeta Hajdarit, në krye të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është emëruar Mimoza Kusari.
Ky numër i ulët i ministreve gra sipas Violeta Haxhollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, ndodh për arsye të shumë faktorëve.
“Ishte pak dëshpëruese që në kabinetin e propozuar nga partia në pushtet ka një numër të vogël të grave që janë emëruar si ministre. Ky është një trend që po e ndjek edhe këtë qeveri. Kjo është për arsye të shumë faktorëve; konkretisht lidhet me bazat brenda partive politike, ku nuk ka një investim më të madh në përfaqësimin e grave, në mënyrë që gratë të fuqizohen që në degët e partive politike.”, tha Haxholli.
Por sipas Haxhollit, edhe gratë duhet të jenë më të zëshme për të kërkuar hapësirën që u takon.
“Gratë, po ashtu, duhet të jenë më të zëshme për të kërkuar hapësirën që u takon, pra që sfidat të cilat i kanë t’i adresojnë brenda partive dhe të kërkojnë mbështetje, qoftë financiare. Ne e dimë që çdo parti ka buxhetin e vet të ndarë nga KQZ-ja dhe normalisht që çdo parti ka të drejtë t’i qaset këtij buxheti.”, shtoi tutje ajo.
Edhe në Qeverinë Kurti 2, nga gjithsej 15 ministri, vetëm 5 ministra ishin gra./atvlive.tv.






