Nivelet e një kimikati të njohur pak, të quajtur acid trifluoroacetik (TFA), janë rritur në mënyrë “alarmante” në verërat evropiane gjatë dekadave të fundit, sipas një analize të kryer nga Rrjeti Evropian i Veprimit kundër Pesticideve (Pesticide Action Network Europe), shkruan theguardian.
Ky kimikat, që rrjedh nga prishja e përbërjeve të qëndrueshme të njohura si Pfas, është i lidhur me rreziqe të mundshme për fertilitetin dhe është gjetur në përqendrime shumë më të larta në verë sesa në ujë, ku më parë është matur, transmeton KP.
Studiuesit analizuan 49 shishe verë të prodhuara në periudha të ndryshme dhe gjetën se verërat e prodhuara para vitit 1988 nuk përmbanin gjurmë të TFA-së. Në kontrast, ato të prodhuara pas vitit 2010 treguan një rritje të ndjeshme të ndotjes. Të dy llojet e verërave – organike dhe konvencionale – shfaqën prani të TFA-së, megjithëse nivelet në verërat organike ishin zakonisht më të ulëta.
“Verërat me përqendrimet më të larta të TFA-së ishin zakonisht ato që kishin edhe më shumë mbetje pesticidesh“, tha Salomé Roynel nga Rrjeti Evropian i Veprimit kundër Pesticideve, duke i bërë thirrje Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare të ndalojnë përdorimin e pesticideve që përmbajnë Pfas.
Studimi përfshiu 10 verëra nga rajone rurale të Austrisë që datojnë që nga viti 1974, si dhe 16 verëra të blera kohët e fundit në supermarkete, nga vitet 2021–2024. Pas zbulimeve fillestare, studiuesit kërkuan mostra edhe nga vende të tjera të Evropës. Rezultatet nga 10 shtete evropiane konfirmuan mungesën e TFA-së në verërat e vjetra, një rritje të moderuar midis viteve 1988 dhe 2010, dhe një rritje të fortë më pas, me nivelet mesatare që arrinin 121 mikrogramë për litër në verërat më të fundit.
Pfas janë kimikate të përdorura gjerësisht në produkte të përditshme, disa prej të cilave tashmë njihen për ndikime të dëmshme shëndetësore. Ndërsa rreziku nga TFA është shpërfillur për një kohë të gjatë, studimet e fundit në kafshë kanë sugjeruar se ai mund të ndikojë në shëndetin riprodhues. Vjet, një rregullator kimik gjerman propozoi që TFA të klasifikohej si toksik për riprodhimin në nivel të Bashkimit Evropian.
Një studim tjetër paralajmëronte se përhapja e TFA-së dhe rezistenca e tij ndaj degradimit natyror e bëjnë atë një kandidat për të përmbushur kriteret e një „kërcënimi të kufirit planetar“, duke rrezikuar potencialisht procese themelore të sistemit të Tokës.
Sipas Hans Peter Arp, kërkues në Universitetin e Shkencave dhe Teknologjisë në Norvegji, rritja e TFA-së është në përputhje me atë që komuniteti shkencor ka vënë re në shumë mediume mjedisore. Ai theksoi se pesticidet Pfas janë ndoshta një burim i madh i ndotjes në zonat bujqësore, përveç burimeve të tjera si refrigerantët dhe produktet farmaceutike.
TFA besohet se rrjedh kryesisht nga F-gazet – refrigerantë të fluorinuar që u përhapën pas ndalimit të klorofluorokarboneve në vitin 1987 – dhe nga pesticidet që përmbajnë Pfas, të përdorura gjerësisht në Evropë që nga vitet ’90. Një tjetër studim nga Gjermania tregoi rritje të ndjeshme të TFA-së në ujërat nëntokësore në zonat bujqësore.
Gabriel Sigmund, studiues në Universitetin Wageningen, tha se TFA nuk degradohet në mënyrë natyrale dhe është shumë e vështirë dhe e kushtueshme për t’u larguar gjatë trajtimit të ujit. Ai shtoi se mungesa e të dhënave për mënyrën dhe shkallën me të cilën TFA formohet nga pesticidet e mëparshme e bën të vështirë parashikimin e përhapjes së mëtejshme.
“Edhe nëse ndalojmë përdorimin e këtyre pesticideve sot, përqendrimet e TFA-së ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten në vitet që vijnë“, paralajmëroi ai.