Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar gjashtë ankesa administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vërtetuar në tërësi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe duke konfirmuar legjitimitetin e procesit zgjedhor.
Sipas vendimit të Supremes, ankesat janë shpallur të pabazuara, ndërsa është konstatuar se procesi i numërimit dhe certifikimit të rezultateve është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndër ankesat e refuzuara janë ato të Partisë Rome e Bashkuar të Kosovës (PREBK), Koalicionit PAI–PDAK–LPB, Nova Demokratska Stranka (NDS), si dhe ankesa e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.






