Vendimi i PE-së “atak jashtëzakonisht i rëndë ndaj Kosovës”

Përgatiti: Fatlum Jashari

Qeveria vijon të kundërshtojë vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese Serbe, në të cilat komunat e Kosovës paraqiten si pjesë e Serbisë.

Akti i cili do të dërgohet për miratim përfundimtar në Këshillin e BE-së, sipas Qeverisë, shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Duke e quajtur precedent të rrezikshëm, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, theksoi se vendimi dëmton procesin e integrimit të komunitetit serb.

“Ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm të komunitetit serb që të pajisen me dokumente personale të shtetit të tyre, të shtetin tonë, Republikës së Kosovës. Prandaj, vendimi për të cilin po flasim, nga BE-ja për mundësim të lëvizjes së lirë, pa regjim vizash, edhe për pasaportat e Serbisë të lëshuara për qytetarët serbë në emër të komunave të Kosovës shënon një prapakthim në këtë proces”, tha Vokrri.

Pasi e vlerësoi të palogjikshëm dhe të dëmshëm për shtetësinë, profesori Dritëro Arifi theksoi se vendimi vjen edhe në kohë të gabuar, kur komuniteti serb nisi që më masivisht të pajisej me pasaporta të Kosovës.

“Në mënyrë të drejtpërdrejtë po e dëmtojnë shtetin e Kosovës dhe në fund vetë pasaportën e Kosovës, pra vlerën që i jep institucioni. Në këtë fakt, serbët më nuk kanë nevojë të nxjerrin pasaporta të Kosovës, sepse në njëfarë mënyre BE-ja ua ka bërë të qartë se e pranojnë edhe si Kosovë dhe Metohi. Pra, është një atak jashtëzakonisht i rëndë për Republikën e Kosovës, për formën që është bërë, sepse ato janë institucione ilegale të cilat nuk e kontrollojnë këtë territor”, tha Arifi.

Proces të mirë e vlerësoi vendimmarrjen e së martës aktivisti i shoqërisë civile, Dusan Radakovic, i cili si problem përmendi vetëm faktin se me të ashtuquajturën pasaportë koordinuese nuk mund të udhëtohet nga Prishtina.

“Po, mendoj se ka prej atyre që nuk pajtohen me këtë. Unë personalisht kam dy pasaporta, kam edhe pasaportën e Kosovës. Është mirë që Kosova mori liberalizimin e vizave për Evropë, por ka shumë njerëz që nuk kanë mundësi të marrin pasaportë të Kosovës për shkaqe të ndryshme dhe në mes të kësaj është shumë keq që, për probleme administrative, dikujt t’i mohohet mundësia e udhëtimit… Mendoj se hapi i radhës duhet të jetë të udhëtohet nga Beogradi me pasaportë të Kosovës, dhe nga Prishtina me pasaportë të Serbisë, dhe përfundimisht të krijohet një linjë fluturimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Radakovic.

Sipas Bashkimit Evropian, rreth 18 mijë qytetarë të komunitetit serb në Kosovë posedojnë pasaporta të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori koordinuese serbe.

Poseduesit e pasaportave të tilla nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen, përkundër se BE-ja ia liberalizoi vizat Serbisë më 2009.

Ditë më parë, BE-ja vlerësoi se integrimi i komunitetit serb në Kosovë është thelbësor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA