“Vendim zhgënjyes e shqetësues”, OVL-UÇK reagon pasi Specialja rrëzoi mocionin e ish-krerëve të UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL), Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) kanë reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një deklarate të përbashkët, këto organizata e kanë cilësuar këtë vendim si zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë, duke akuzuar Gjykatën për njëanshmëri dhe tentativë për rishkrim të historisë së luftës në Kosovë.

“OVL, SHIL dhe SHFD kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë”, thuhet në reagim.

Organizatat theksojnë se refuzimi i mocionit përbën një mesazh negativ për drejtësinë, duke u shprehur se një vendim i tillë minon besimin në paanshmërinë e procesit gjyqësor.

“Kur përballë fakteve, dëshmive dhe shkeljeve procedurale mohohet edhe një shqyrtim i drejtë i mocioneve mbrojtëse, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të orientuar politikisht”, thuhet më tej.

Në deklaratë theksohet se UÇK-ja nuk kërkon mëshirë, por një proces të drejtë dhe të bazuar në të vërtetën, ndërsa paralajmërohet se qëndresa në mbrojtje të vlerave të luftës nuk do të ndalet.

“UÇK-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një gjykim të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri. Gjykata nuk mund të mbyllë sytë para realitetit që e njeh bota se UÇK-ja ishte forcë çlirimtare”, thuhet në reagim.

Në fund, OVL, SHIL dhe SHFD i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos bien pre e, siç e quajnë ata, një narrative të shtrembëruar.

“Kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë, e jo në garanci të drejtësisë. Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë”, thuhet tutje.

LEXONI EDHE:

Specialja rrëzon mocionin e mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA