Vedat Muriqi ka shënuar sonte për skuadrën e tij Mallorca në përballjen e fortë me liderin e La Ligës.
Barcelona ka mposhtur bindshëm në udhëtim ekipin e futbollistit kosovar në xhiron e 16-të.
Katalanasit në këtë ndeshje u rikthyen fuqishëm pas humbjes së papritur nga Las Palmas duke rrezikuar vendin e parë.
Ferran Torres shënoi për epërsinë e Barcelonës në minutën e 12-të. Dy minuta para përfundimit të pjesës së parë Vedat Muriqi barazoi pas asistimit të Pablo Maffeo.
Dukej se Mallorca do të ishte në gjendje të përballojë skuadrën e zemëruar të Barcelonës, por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi katalansit treguan në vazhdim fuqinë e vërtetë me katër gola të njëpasnjëshëm.
Braziliani Raphina shënoi për 2:1 nga penalltia në minutën e 56-të. I njëjti lojtar në minutën e 74-të shënoi edhe golin e tij të dytë dhe të tretë për Barcelonën, pas asistimit të Lamine Yamal.
Mbrojtja e Mallorca-s u shpartallua serish duke pësuar dy gola brenda vetëm pesë minutash – Frenkie de Jong (79’) dhe Pau Victor (84’), pas asistimit të futbollistit holandez.
Barcelona prin në tabelë me 37 pikë nga 16 ndeshje. Real Madrid, i cili përballet nesër me Athletic Club në udhëtim, renditet me 33 pikë në pozitën e dytë, por me dy ndeshje më pak, ndërsa Mallorca renditet e gjashta me 24 pikë.