Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është shfaqur shumë optimist para ndeshjes së madhe kundër Zvicrës, që zhvillohet në Basel. Ai foli në konferencën për shtyp së bashku me përzgjedhësin Franco Foda, duke theksuar se Kosova është përgatitur maksimalisht për këtë duel.
“Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe kemi analizuar çdo detaj të kundërshtarit. E njohim Zvicrën dhe dobësitë e saj. Atmosfera në ekip është e jashtëzakonshme, kemi lojtarë të nivelit të lartë dhe jam i bindur se nesër do të dalim fitues”, tha sulmuesi i Mallorcas.
Muriqi kujtoi disa momente nga karriera e tij, përfshirë golin ndaj Real Madridit, por edhe rastet kundër Zvicrës në të kaluarën, duke theksuar se gëzimi i golave është gjithmonë një ndjenjë unike. “Jemi gati dhe shpresojmë t’i bëjmë tifozët tanë krenarë në stadium,” shtoi ai.
Në repartin ofensiv, përveç Muriqit, Kosova ka edhe dy emra të rinj në formë të lartë, Albion Rrahmani dhe Fisnik Asllani. Vetë Muriqi i konsideroi ata si të ardhmen e Kosovës:
“Personalisht mendoj se Albion Rrahmani dhe Fisnik Asllani janë më të mirë se unë. Uroj që të mos kenë lëndime dhe besoj se do ta thyejnë rekordin tim të golave me fanellën e Kosovës,” u shpreh ai.