Ylli i Kosovës, Vedat Muriqi, po kërkohet nga disa klube, por aktualisht është i fokusuar te Mallorca, ka konfirmuar menaxheri i tij, Utku Cenikli.
Qendërsulmuesi po kalon sezonin më të mirë të karrierës, duke shënuar 21 gola në La Liga, ndërsa synon ta ndihmojë Mallorcan të qëndrojë në elitën e futbollit spanjoll. Cenikli, në një intervistë për “AS”, ka konfirmuar interesimin për Muriqin, por ka refuzuar të flasë për detaje të një transferimi të mundshëm.
“Isha në ndeshjen ndaj Valencias për ta parë Muriqin. E ka vizituar edhe në të kaluarën. Nuk ka zhvillime konkrete për një transferim të mundshëm,” tha Cenikli.
“Vedati është lojtar i dëshmuar dhe shumë i pëlqyer në Mallorca. Synimi i tij është të përfundojë me sukses ndeshjet e mbetura dhe është besnik ndaj klubit. Ka interesim për të, po kalon një sezon të shkëlqyer, por është plotësisht i fokusuar te Mallorca për momentin,” shtoi ai.
Në janar, Fenerbahce thuhet se provoi ta transferonte Muriqin, por Mallorca kërkoi 20 milionë euro për ta lënë të lirë. Kujtojmë se Muriqi, i cili pëlqehet edhe nga Barcelona, ka kontratë me Mallorca deri në vitin 2029, me një klauzolë lirimi prej 40 milionë euro.






