Vdekjet në vendin e punës – Avokati i Popullit rekomandon ndryshime në legjislacion e rritjen e inspektorëve

Zëvendësavokatja e Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, ka thënë për Ekonomia Online se vdekjet në vendin e punës kanë një trend rritës në Kosovë. Kjo, sigurisht që mbetet shqetësuese edhe për Avokatin e Popullit, i cili është duke e përgatitur një raport për kushtet, sigurinë dhe shëndetin në punë.

Raporti, siç bëri të ditur Sinani-Lulaj, ka filluar që në vitin 2021 dhe pritet të përfundojë brenda disa muajve.

Përveç rekomandimeve për “freskimin” e legjislacionit sipas standardeve të reja ndërkombëtare, zëvendësavokatja tha se fokus i veçantë i është dhënë edhe efektivitetit të Inspektoratit të Punës, i cili është organi ekzekutiv për sigurinë në punë.

Ajo tha se Avokati i Popullit disa herë ka shprehur shqetësim për numrin e vogël të inspektorëve në të gjitha fushat. Ndërsa, si shembuj konkretë për legjislacionin, Sinani-Lulaj përmendi Kartën Sociale dhe Konventën për të Drejta Sociale dhe Ekonomike, të cilat kanë kërkesa të reja, e që sipas saj janë të rëndësishme për ecjen e Kosovës tutje edhe në proceset politike.

“Rastet që po përfundojnë me fatalitet në vendin e punës, tash në Kosovë po shfaqen gjithnjë e më shpesh. Shqetësuese mbetet. Avokati i Popullit sa herë ka dalë me ftesën për Inspektoratin dhe autoritetet përgjegjëse për t’i mbikëqyrur këta sektorë ku është shtuar numri i rasteve të vdekjes, por edhe sektorëve të tjerë ku ka lëndime të lehta e të rënda”.

“Inspektorati i Punës është organ ekzekutiv i cili duhet të përmbushë mandatin që ka që të sigurojë zbatim efektiv të ligjit sa i përket mbrojtjes, shëndetit dhe sigurisë në punë”.

“Avokati i Popullit ka nisur që në vitin 2021 një hetim që lidhet më këtë aspekt. Jo thjesht me pjesën e legjislacionit dhe zbrazëtirave por edhe me efektivitetin e Inspektoratit dhe mënyrës se si po e përmbush mandatin e vet. Inspektorati ka pasur disa vështirësi në tri vitet e fundit sa i përket menaxhmentit të vet dhe kjo ka krijuar vështirësi edhe në komunikimin tonë. Ne jemi në përfundim të këtij raporti dhe do të dalim me rekomandime për autoritete, të cilat po shpresojmë do t’i shtyjnë përpara proceset”.

“Pjesa e legjislacionit mendoj se është shumë e rëndësishme sepse ligjet zakonisht i takojnë një periudhe më të hershme. Ka ndryshime në proces. Në anën tjetër ka instrumente ndërkombëtare të cilat, me pjekurinë e Kosovës dhe ecjes përpara edhe në proceset politike, shembull Karta Sociale ose Konventa për të Drejta Sociale dhe Ekonomike kanë kërkesa të reja, qoftë për shtetin qoftë për mirëqenien e qytetarëve. Këto janë të rëndësishme për t’u vënë në pah, jo se Qeveria, shteti dhe autoritetet nuk i dinë, por për të tërhequr vëmendje për urgjencën dhe domosdoshmërinë që të jenë pjesë e legjislacionit”.

“Është e vështirë të gjendet një fajtor sepse problemet janë komplekse. Ne kemi shprehur disa herë shqetësimin tonë se ka një numër të vogël të inspektorëve gjithandej. Në anën tjetër ka edhe mangësi ligjore, të cilat kërkojnë rifreskim të legjislacionit, harmonizim me standardet ndërkombëtare por edhe me realitetin në vend”, është shprehur ajo, raporton EO.

Sipas saj, kjo do të ishte e nevojshme në mënyrë që rastet e vdekjeve në vendin e punës të parandalohen apo të paktën të zvogëlohen “jo vetëm në ndërtimtari por edhe në sektorët e tjerë”.

“Ka gjithandej vend punishte ku punëdhënësi nuk e krijon ambientin me masat e duhura të sigurisë, por në anën tjetër mund të ketë edhe pakujdesi të vetë punonjësve. Pasojat nuk janë vetëm të punonjësve, janë të gjithë shoqërisë”.

Ndërsa, për natyrën e ankesave të cilat Avokati i Popullit i pranon më së shumti, Sinani-Lulaj tha se zvarritjet procedurale në sistemin e drejtësisë zënë vendin kryesor. Mirëpo, këtë vit, numër i madh i ankesave është drejtuar edhe për Ligjin e Pagave.

Edhe pse kategorizohen si të njëjta, ajo ka treguar se çdo ankesë trajtohet si rast i veçantë.

“Në Avokat të Popullit vijnë një numër i madh ankesash, të cilat kategorizohen sipas kategorive kushtetuese. Kryesisht, këto që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës, me sigurinë e shëndetin në punë kualifikohen tek neni 49, që lidhet me te drejtën në punë dhe ushtrimit të profesionit. Janë diku rreth 24 sosh”.

“Zakonisht zvarritjet procedurale në sistemin e drejtësisë zënë vendin kryesor. Ky është numri më i madh i ankesave që drejtohet në institucion. Por edhe kërkesat që kanë të bëjnë me aspektin social, shëndetësor, ekonomik. Këtë vit ka qenë edhe çështja që lidhet me pagat, nga shumë segmente. Gjithashtu edhe këto kanë zënë një vend të madh të numri i ankesave. Shpeshherë ato përmblidhen si të njëjta. Mirëpo, kur trajtohen si çështje të drejtave të njeriut, ato trajtohen rast për rast”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA