Sindikata e Policisë i është drejtuar Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, me kërkesë për përfshirje aktive në monitorimin e respektimit të të drejtave të pesë zyrtarëve policorë që aktualisht ndodhen në ndalim për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu më 7 korrik, në Lipjan.
Në kërkesën e saj, SPK thekson disa çështje kyçe, përfshirë vlerësimin e proporcionalitetit të masës së ndalimit, për të cilën vlerësohet se ishte e panevojshme dhe se ka pasur alternativa më të arsyeshme.
Sindikata e Policisë, mes tjerash, kërkon që të garantohet për një proces të drejtë dhe të paanshëm ligjor dhe përkrahje për kolegët, ndërsa apelon për profesionalizëm.
SPK-ja thekson se nuk ndërhyn në procesin hetimor dhe nuk paragjykon drejtësinë, por mbetet e përkushtuar që çdo zyrtar policor të trajtohet me dinjitet, drejtësi dhe në përputhje me standardet ligjore vendore dhe ndërkombëtare.