Përgatiti: Besmire Kluna
Mbikalimi afër shkollës “Ali Sokoli”, në kryeqytet, u ndërtua për këmbësorët, por ata rrallë herë e përdorin atë.
Arsyet, sipas këmbësorëve, janë papastërtia dhe kundërmimi i tepërt.
“Duhet me pas kujdes mos me gjujtë bërllog, edhe qytetarët duhet me kanë të vetëdijesum bre, po nuk di, më duket na nuk kemi nivel të kulturës, tash, nuk e di ku është arsyeja, pse e bëjnë këtë”, thotë një qytetar.
“Bërllogu vetë mblidhet qashtu, vetë bllokadë është kjo, katastrofë, shumë keq, Komuna vetë po ban biznes jo tendera, jo çtendera, jo i ki ba mirë jo i ke ba keq, veç me marrë pare prej tenderave”, thotë një tjetër qytetar.
Edhe në Komunën e Prishtinës e pranojnë se ky mbikalim nuk e ka pastërtinë në nivelin e duhur, por bëjnë të ditur se shpejt do të intervenojnë në këtë drejtim.
“Do e shohim si mundësi që brenda një kohe të shkurtër të intervenojmë për ta rregulluar, duke e pastruar e pastaj do të shohim mundësinë që këto mbikalime të kthehen në ambiente atraktive”, tha zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku.
Lushaku po ashtu thotë se në planet e së ardhmes, pjesa poshtë mbikalimit planifikohet të mbyllet dhe të ketë një plan më konkret për shfrytëzimin e tij nga qytetarët.