Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjyqin kundër Pjetër Shalës

Po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Prokuroria vazhdoi sot me intervistimin e dëshmitarit që mban numrin 11, i cili pretendon se është mbajtur më shumë se një muaj i ndaluar në një dhomë. Ai tha se është liruar nga aty pas çlirimit të Kosovës. Dëshmitari i mbrojtur tregoi edhe për emrin e personit, i cili e kishte marrë në pyetje gjatë kohës sa ka qenë i ndaluar. Pjetër Shala po e ndjek seancën nga Qendra e Paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Në seancën e sotme po vijohet me pyetjet e prokurorit të specializuar. Dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së tha se Xhemshit Krasniqin e kishte parë vetëm kur e ka marrë në fabrikën e metaleve në Kukës.

Sipas dëshmisë së tij, në dhomën ku është mbajtur i ndaluar nuk ka pasur gjithmonë dyshekë për të fjetur.

Në pyetjet tjera të prokurorit të specializuar u vijua në seancë private.

Më pas, ai e pyeti dëshmitarin se kur u lirua nga dhoma ku është mbajtur më shumë se një muaj.

Dëshmitari: Lirimi ndodhi kur hyri NATO në Kosovë dhe u hapën dyert dhe vetëm kam dalë prej aty”.

Prokurori: Gjatë kohës sa u mbajte i ndaluar, përpara se të liroheshit, a ju mori njeri në pyetje. Mbaj mend që na ke thënë që një herë gjatë ditës ju bën disa pyetje?”, u përgjigj dëshmitari që mban numrin 11.

Dëshmitari i gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës tha se Osman Kryeziu e kishte marrë në pyetje.

Prokurori: Ju mori njeri në pyetje gjatë ndalimit tuaj?

Dëshmitari: Po.

Prokurori: Kush ju mori në pyetje, a e dini se kush ishte ky person, e njihni identitetin e tij?

Dëshmitari: Në atë moment as nuk e dija, as nuk e kam njohur. Pas çlirimit në Kosovë e kam kuptuar që ka qenë Eqrem Kryeziu… gabim, Osman Kryeziu”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se e ka parë një herë këtë person dhe se në kohën kur e mori në pyetje i kishte thënë që është gjykatës ose prokuror, por nuk i kishte treguar se cilën organizatë e ka përfaqësuar.

Prokurori i specializuar kujtoi deklaratën e tij dhënë prokurorisë, kur kishte thënë të kundërtën.

Prokurori: Në kohën që i keni dhënë intervistë prokurorisë, kemi diskutuar për këtë intervistën tuaj dhe ju keni thënë ‘e di që kur më mbajtën për një muaj më morën në pyetje, më quan tek një person që ishte prokuror dhe ai më tha jam prokurori i UÇK-së. Më morën rreth gjysmë ore në pyetje dhe që nga ajo kohë nuk e kam parë më’. Nga kjo që keni thënë aso kohe prokurorit, ky burri ju ka thënë ka qenë prokuror i UÇK-së. A e mbani mend?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet, të vërtetën me ju thënë. Ka mundësi edhe që më ka thënë”, tha ai.

Prokurori i specializuar e pyeti nëse atë kohë e dinte se kush e kishte mbajtur të ndaluar, por transmetimi është dhënë me përmbajtje të redaktuar.

Në dokumentet e paraqitura për dëshmitarin, të cilat nuk u transmetuan për publikun, ai u shpreh se personi në fotografi është Osman Kryeziu.

Tutje, dëshmitari shtoi se i ka përjetuar rëndë ato çfarë ai pretendon se kanë ndodhur në dhomën ku është mbajtur.

Mbrojtësi i viktimave tha se nuk ka pyetje për këtë dëshmitar.

Pas pauzës do të vijohet me kundërpyetjet e palës mbrojtëse për dëshmitarin, i cili nisi dëshminë gjatë së martës.

Ky është dëshmitari i gjashtë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës, i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala është arrestur më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA