Kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, është bërë një nga figurat më të njohura të futbollit që ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj rregullit të ri të FIFA-s për pushimet e detyrueshme të hidratimit në Kupën e Botës 2026.
Sipas rregullores së re, çdo pjesë e ndeshjes përfshin një ndërprerje të detyrueshme treminutëshe për hidratim, pavarësisht kushteve atmosferike. Ky mekanizëm ishte përdorur më parë vetëm në ndeshjet e zhvilluara në temperatura ekstreme, por tashmë është bërë pjesë e çdo takimi të turneut.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në botën e futbollit, veçanërisht për faktin se gjatë këtyre ndërprerjeve transmetuesit televizivë kanë mundësi të transmetojnë reklama. Kjo ka shtuar shqetësimet se futbolli po i afrohet gjithnjë e më shumë modelit komercial të sporteve amerikane, si NFL dhe NBA, ku ndalesat e shpeshta janë pjesë e strukturës së lojës.
Van Dijk ishte protagonist në barazimin 2-2 të Holandës ndaj Japonisë në Dallas, ku pushimet e hidratimit u aplikuan në të dy pjesët e takimit, edhe pse ndeshja u zhvillua në stadiumin AT&T me çati të mbyllur dhe temperaturë të kontrolluar.
Pas sfidës, mbrojtësi i Liverpoolit nuk i kurseu kritikat.
“Pushimet për hidratim janë një çështje interesante. Kam ndjekur pothuajse të gjitha ndeshjet e turneut dhe ajo që më shqetëson është fakti se çdo ndërprerje shoqërohet menjëherë me reklama. Nuk mendoj se kjo është pozitive, as për tifozët që e ndjekin futbollin nga stadiumi dhe as për ata para ekranit”, deklaroi ai.
Sipas holandezit, ndërprerje të tilla janë të arsyeshme vetëm kur kushtet klimatike e kërkojnë.
“Nëse temperaturat janë vërtet të larta, atëherë këto pushime kanë kuptim. Por mendoj se çdo ndeshje duhet të vlerësohet individualisht dhe jo të zbatohet i njëjti rregull në çdo rast”, shtoi Van Dijk.
Ai e mbylli komentin me një buzëqeshje, duke lënë të kuptohet se nuk dëshironte të hynte më thellë në debat: “Besoj se kam thënë mjaftueshëm për këtë temë”.
Deklaratat e kapitenit holandez i shtohen zërave kritikë ndaj formatit të ri të FIFA-s, ndërsa tifozë dhe analistë të shumtë argumentojnë se ndërprerjet e shpeshta po ndikojnë negativisht në ritmin e lojës dhe po e bëjnë përvojën e shikimit më pak tërheqëse.





